Trudeau mban premtimin, Kanadaja legalizon marijuanën

Të mërkurën në mbrëmje u shit për herë të parë një sasi kanabisi në mënyrë ligjore, në ishullin lindor Newfoundland. Pas transaksionit të parë, qindra të tjerë mbanin radhën për të marrë “dozën” e tyre….

Kanadaja u bë kështu shteti i dytë në botë pas Uruguait që legalizon zotërimin dhe përdorimin e kanabisit për qëllime rekreative, ndërsa përdorimi për qëllime mjekësore ishte legalizuar që në vitin 2001.

Por pavarësisht gjithçkaje, mbetet shqetësimi nëse forcat e rendit janë të përgatitura për të parandaluar dhe luftuar ngarjen e makinës nga personat që kanë përdorur kanabis. Rreth 15 milionë familje kanë marrë njoftimin për ligjin e ri ndërsa janë realizuar edhe disa fushata sensibilizuese.

Ian Power duke blerë kanabis

I pari që bleu kanabis në mënyrë të ligjshme ishte Ian Power nga qyteza St John. Ai u vu në radhë që në orën 20:00 për të shkruar historinë. “Ishte ëndrra ime që të bëhesha i pari person që do të blinte gramin e parë të kanabist të ligjshëm në Kanada dhe ja ku jam më në fund”, tha ai për mediat.

Provincat dhe bashkitë përgatiteshin për këtë ditë prej muajsh, në mënyrë që njerëzit të kenë gjithë informacionin e nevojshëm se ku dhe si mund të blihet kanabis në mënyrë të ligjshme.

Pse po e legalizon Kanadaja kanabisin?

Legalizimi është mbajtja e një premtimi të bërë në fushatën e vitit 2015 nga ana e Kryeministrit Justin Trudeau, udhëheqësi i Partisë Liberale që qeveris vendin. Ai pretendon se ligjet 100-vjeçare të Kanadasë që kriminalizojnë përdorimin e kanabisit nuk kanë dhënë efekt duke qenë se kanadezët janë ndër përdoruesit më të mëdhenj në botë.

Sipas tij, ligji i ri do të mundësojë që droga të qendrojë larg duarve të të miturve dhe përfitimet nga shitja e saj të mos përfundojnë në xhepat e kriminelëve. Qeveria federale kanadeze gjithashtu parashikon që të rrisë të ardhurat nga taksat me 400 milionë dollarë amerikanë në vit nga shitja e kanabisit.

Historiku

Zotërimi i kanabisit u fut në listën e veprave penale fillimisht në vitin 1923 në Kanada, por që prej vitit 2001 përdorimi për qëllime mjekësore ka qenë i ligjshëm. Uruguai u bë vendi i parë në botë që legalizoi shitjen e kanabisit për qëllime rekreative në vitin 2013, ndërsa disa shtete në SHBA kanë votuar për të marrë të njëjtin vendim.

Në Europë përdorimi i marijuanës për qëllime mjekësore po fiton terren me Portugalinë dhe Holandën që e kanë dekriminalizuar përdorimin e saj.

Shkarkoni aplikacionin e A2