Ministri turk kërkon “kokën” e gylenistëve, Bushati: Jemi në NATO, kemi rregulla për ekstradimet

Ministri shqiptar Ditmir Bushati dhe homologu turk 
Mevlüt Çavuşoğlu.

Mirënjohje për mbështetjen dhe bashkëpunimin, solidarizim ndaj qeverisë turke për ngjarjet e ndodhura gjatë grushtit të shtetit por edhe shmangie ndaj kërkesave të Ankarasë për ekstradimin e personave të lidhur me Fetullah Gulan.

Ky ishte qendrimi i Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati nëkonferencën e sotme për shtyp, pas takimit me homologun turk Mevlüt Çavuşoğlu.

Bushati nënvizoi marrëdheniet e shkëlqyera midis dy vendeve në planin ekonomik, ushtarak, të trashgimisë kulturore si dhe në bashkëpunimin efektiv në rastin e fatkeqësive natyrore.

Gjatë konferencës, interesi kryesor u përqëndrua në qendrimin zyrtar të Shqipërisë ndaj kërkesave të shumta të qeverisë turke për ekstradimin nga Shqipëria i personave të lidhur me aktivitetet e kundështarit kryesor të presidentit Rexhep Taip Erdogan, imamit Fetullah Gylen. “Ne nuk strehojmë terroristë shqiptarë, presim që as ju mos ta bëni”, deklaroi “pa dorashka” në konferencë ministri turk, i cili shtoi se gylenistët në Shqipëri “ kanë përdor shumë mirë sistemin arsimor dhe kanë hyrë në institucione. Sigurisht kjo është organizatë e rrezikshme, e dimë se këtu kemi anëtarë të FETO. Në dëshirojmë dhe presim të mbyllen institucione anti-turke në Shqipëri. Kjo organizatë është një kërcënim tepër serioz edhe për Shqipërinë”.

Përgjigja e ministrit Bushati u duk më diplomatike, por e qartë për një refuzim të kërkesave turke që nuk kalojnë nga kanali i dialogut dhe kontekstit gjeopolitik: “Shqipëria ka qenë ndër vendet që është solidarizuar me ato që kanë ndodhur në Turqi, por nga ana tjetër është anëtar i NATO-s dhe kandidate e BE dhe aderon në disa organizma me rregulla të përcaktuar për ekstradime, ndaj çdo rrugë ndiqet në rrugë diplomatike dhe asesi në konferenca shtypi”.

Tensioni i gjeneruar nga ngërçi i ekstradimit të gylenistëve u zbut disi vetëm gjatë evidentimit të marrëdhenieve kulturore dhe ekonomike, të gjykuara si ”në rritje” nga Çavuşoğlu, me një total investimesh turke që prek shifren e 3 miliard dollarëve. Edhe pse treguesit janë positivë, ministri turk nënvizoi nevojën për një vëmendje akoma më të madhe ndaj sektorëve të industrisë, energjisë dhe aeroporteve.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN