Laborator heroine në Has, 5 persona në pranga

Një laborator, i dyshuar se është përdorur për përpunimin e lëndëve të forta narkotike është zbuluar këtë të premte nga policia në Has, ndërsa janë arrestuar 5 persona.

Policia bën të ditur se personat e vënë në pranga janë shtetasit V.B, F.C, Xh. Sh, M.Sh, A.Sh. Laboratori ishte ngritur në fshatin Brenog, brenda dy kapanoneve që më parë, përdoreshin si stallë për bagëtitë.   

Në operacion kanë marrë pjesë forcat RENEA dhe FNSH. Në laborator është gjetur një sasi e konsiderueshme lënde opiumi, prej rreth 100 kg,  lëndë e parë për prodhimin e heroinës. Brenda ambientit ku ushtrohej aktiviteti kriminal është sekuestruar edhe heroinë dhe kokainë dhe policia informoi se peshimi i tyre po vazhdon.

Nga të dhënat e para, dyshohet se laboratori i përket një linje të trafikut të drogave të forta që vepron prej vitesh nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE. Mes të arrestuarve janë edhe personat që kryenin përpunimin e lëndës narkotike.

Hetimet për zbulimin e fabrikës së heroinës në Has kanë nisur disa muaj më parë, në bashkëpunim me agjencitë partnere. Operacioni u parapri me një takim te krimet e rënda ku ishte i pranishëm drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu së bashku me Eduart Merkajn Drejtor i Sektorit të Krimit të Organizuar si dhe dy prokurore të krimeve të rënda.

Përmes një deklarate, Policia e Shtetit bëri apel për kujdes: “Për shkak se operacioni i Policisë së Kukësit për goditjen e rrjetit të implikuar në ngritjen e një laboratori droge, nuk është përfunduar ende, dhe për të mbrojtur e mos cenuar sigurinë e efektiveve të Policisë të përfshirë në aksion, i kërkojmë medias të jetë e matur në raportime. Siç kemi njoftuar më herët, në ditët në vijim, Policia, Prokuroria dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese do të kenë një dalje të përbashkët për të bërë publike detaje nga operacioni”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN