Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Liga e Kombeve, “katapulta” e Kosovës. Nga “lufta” për njohje në Europian?!

Nga A2 CNN
19 Tetor 2018, 12:39 | Futboll

Liga e Kombeve (Nations League) po “rezulton një kompeticion që do përmbushë ëndrrën e Kosovës”, e cila vetëm dy vite më parë finalizoi “luftën” për t’u bërë pjesë e UEFA-s dhe e FIFA-s.

Por duket se me ndihmën edhe të këtij kompeticioni, federata më e re e futbollit ka mundësinë të “katapultohet” menjëherë në Kampionatin Europian 2020, ajo që për Shqipërinë ishte historike dy vite më parë në “Francë 2016”.

Rregullat e Nations League dhe ecuria fantastike deri pas ndeshjes së katërt në grupin e tretë të ligës së katërt, bëjnë që Kosova të jetë në rrugën e duhur drejt Europianit. Nations League e mbron Kosovën nga skuadra të “frikshme” si Franca, Spanja, Gjermania, por edhe të tjerave të një niveli mesatar, duke e vendosur atë në League D, ku ndodhet në grup së bashku me Ishujt Faroe, Azerbajxhanin dhe Maltën, kombëtare thuajse të të njëjtit nivel.

Kur janë për t’u luajtur edhe dy ndeshje në këtë grup, Kosova renditet e para dhe do t’i mjaftonin vetëm dy barazime, ndaj Azerbajxhanit në “Fadil Vokrri” dhe në transfertë ndaj Maltës.

Vendi i parë do t’i mundësonte më pas të zhvillonte edhe dy ndeshje të tjera me fituesit e 3 grupeve në këtë ligë. Me shumë mundësi, duke pasur parasysh edhe ndeshjet e deritanishme, Maqedonia, Bjellorusia dhe Gjeorgjia, janë kundërshtarët e mundshëm. Në rast se Kosova do të arrijë të fitojë në “gjysmëfinale” e pastaj në “finale”, do të siguronte një biletë në Europian.

Do të ishte historike jo vetëm për Kosovën, por edhe për UEFA-n kjo arritje, e parealizuar nga asnjë kombëtare më parë dhe ndoshta e paarritshme edhe në vazhdim. Tashmë na mbetet të presim mbylljen edhe të dy ndeshjeve të tjera në grup në muajin nëntor, e më pas edhe dy takimet vendimtare me fituesit e 3 grupeve të tjera, për të mësuar se do të ndodhë vërtetë kështu...

A2 CNN Livestream

Dita jonë