Fluturimi i ferrit, britma kudo e pasagjerë të mbuluar nga gjaku

Për shumë persona udhëtimi me avion është një tmerr i vërtetë dhe shpesh mundohen që ta shmangin atë.

Ndoshta për të gjithë këta është mirë që të mos e shohin atë që ka ndodhur në një fluturim nga Miami në Buenos Aires, i cili është cilësuar si “fluturimi i ferrit” për 192 pasagjerët që ndodheshin në bordin e avionit.

Pamjet janë me të vërtetë tronditëse, me kabinën e avionit të pushtuar nga kaosi. Pasagjerë me gjakderdhje nga hundët, ushqime të shpërndara kudo e maskat e oksigjenit të varura.

Avioni, një Airbus A330, ndodhej mbi Brazil kur u përfshi nga turbulencat e ajrit. Pasagjerët e tmerruar nga makthi i përjetuar nuk hezituan t’i shpërndajnë pamjet në “Twitter”, pasi avioni bëri ulje të sigurt në aeroportin Ezeiza në kryeqytetin e Argjentinës.

Pesëmbëdhjetë pasagjerë mbetën të lënduar, ndërsa 8 prej tyre u dërguan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Ngjarja u konfirmua edhe nga kompania “Aerolineas Argentinas”, e cila tha në një deklaratë se disa nga pasagjerët morën lëndime, ndërsa u theksua se ekuipazhi ka bërë më të mirën për të ndihmuar pasagjerët në këtë situatë dramatike. “Pasi avioni u fut në zonën e turbulencë, ekuipazhi i fluturimit u tregua tejet i përkushtuar për të ndihmuar pasagjerët e lënduar”, tha kompania.

Por çfarë janë turbulencat?

Kësaj pyetje i ka dhënë përgjigje pak kohë më parë piloti me mjaft përvojë Patrick Smith, i cili thotë se turbulencat, edhe pse duken shqetësuese, në fakt janë diçka normale.

“Pilotët nuk janë të shqetësuar me krahët që lëvizin, por ata përpiqen që të qetësojnë pasagjerët”. Pilotët po ashtu e ngadalësojnë shpejtësinë e avionit në atë që njihet si kalimi i turbulencës, por ju nuk e dalloni sepse nuk ndryshon shumë nga shpejtësia normale.

Por a rrezikon turbulenca avionin?

“Është e lehtë të imagjinosh avionin si një skaf në mes të një deti të mbushur me dallgë. Por nuk është kështu, përveçse në raste shumë të rralla”.

“Avioni nuk mund të përmbyset apo të rrëzohet nga xhepat e ajrit. Është fenomen i bezdisshëm, por avioni nuk bie”.

Sa ndikon tekavioni?

Sipas Patrick, avioni nuk lëviz nga kursi i tij edhe në turbulencën më të keqe. Ai tha se në një rast, kur turbulenca vazhdoi për disa minuta, avioni nuk lëvizi më shumë se dhjetë metër.

Mbi të gjitha, drejtimi nuk ndryshon pasi avioni e korrigjon automatikisht rrugën.

A mund të parashikohen turbulencat? Patrick thotë se në shumë raste mund të parashikohen, duke ndjekur motin dhe radarët. Por në disa raste thjesht ndodh që mund të biesh në turbulenca. Nëse kjo ndodh, kujtoni thënien e Patrick se pilotët janë më shumë të shqetësuar se mos ju derdhet kafeja sesa mund të rrëzohet avioni.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN