Kotzias: Gati të zgjerohemi 12 milje në Jon

Ministri i Jashtëm grek në largim, Nikos Kotzias, tha se Greqia është gati që të zgjerojë ujërat territorialë nga 6 në 12 milje detare në detin Jon, duke zgjeruar kështu sovranitetin e vendit drejt perëndimit.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit të detyrës tek Kryeministri Alexis Tsipras, Kotzias tha se ky ishte zgjerimi i parë i Greqisë në këtë drejtim që prej vitit 1947.

“Sovraniteti i vendit zgjerohet nga Othonoi e deri në Antikythira”, tha Kotzias. Othonoi është një ishull i vogël grek në detin Jon, në veriperëndim të Korfuzit, ndërsa Antikythira ndodhet në juglindje të Peloponezit. Nëse pretendimi i Kotzias është i vërtetë, do të thotë se çdo veprim, peshkimi, kalimi i anijeve të mallrave dhe pasagjerëve si dhe shpime nënujore, duhet të miratohen paraprakisht nga autoritetet greke.

Postin e ministrit të jashtëm tashmë do ta mbajë Alexis Tsipras, pasi Kotzias u dorëhoq për shkak të mosmarrëveshjeve me ministrin e Mbrojtjes Panos Kammenos. Megjithatë, ai u shpreh gjithashtu i kënaqur që po largohej në një ditë pasi ishte ratifikuar nga parlamenti edhe marrëveshja me Shkupin për ndryshimin e emrit. “Po përjetoj një paradoks, sepse më duhet të largohem dhe jam i lumtur”, tha Kotzias në lidhje me këtë vendim të Shkupit”.

Shkarkoni aplikacionin e A2