Madridi nën “rrënoja”, 4 humbje në 5 ndeshjet e fundit

Levante ka zhytur Realin e Madridit në rrënoja. Një tjetër ndeshje katastrofë për skuadrën e drejtuar nga ish-trajneri i Spanjës, Lopetegui.

Kampionët e Champions League janë mposhtur në “Bernabeu” 1-2 nga skuadra e Levantes, pjesë e së cilës është edhe Armando Sadiku, i cili po vuan nga një dëmtim i gjatë.

“Los Blancos” kapitulluan brenda 13 minutave të para, duke pësuar dy gola të shpejtë. Fillimisht ishte Morales e më pas Roger nga pika e 11-metërshit, e mbyllën këtë takim që në minutën e 13.

Reali i Madridit tentoi të reagonte duke qenë gjatë gjithë kohës në kërkim të golit, por e gjeti atë vetëm në minutën e 72 me mbrojtësin brazilian, Marcelo.

Duke përfshirë edhe ndeshjen e Champions League ndaj CSKA, Reali ka koleksionuar 4 humbje dhe vetëm një barazim në 5 ndeshjet e fundit, 4 në kampionat dhe një në Champions.

Një situatë dramatike te madrilenët, të cilët këtë sezon e kanë nisur në mënyrën më të keqe, ku pas 9 ndeshjeve të parë renditen në vendin e pestë.

Shkarkoni aplikacionin e A2