Goditen të “fortët” e Shijakut, trafikonin heroinë në Shqipëri e Gjermani

Përveç arrestimit të dy ish-deputetëve të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuko, Policia e Shtetit realizoi arrestime të tjera të bujshme këtë të diel.

Mësohet se në sajë të operacionit “Forca e Ligjit” është goditur familja Avdyli në Shijak duke arrestuar tre vëllezërit, kushëririn e parë të tyre dhe  mbi 20 anëtarë të bandës që akuzohet për trafik heroinë në Shqipëri dhe në Gjermani, ndërsa numëron dhjetëra biznese, mes tyre hoteli luksoz në Durrës ‘Germany’. 

Sipas policisë, Astrit Avdyli është koka e bandës së Shijakut, gjithashtu në pranga janë vënë edhe vëllezërit e tij Flamur Avdyli dhe Shkëlqim Avdylin. Ndërsa përpos tyre u prangos kushëriri i parë, Jasim Avdyli së bashku me H. Hoxha, të dënuar në Turqi për trafik heroine dhe mbi 20 persona të tjerë.

Burime nga policia bëjnë të ditur se pjesë e dosjes është edhe një urdhër arresti për Lul Berishën, ish-kapon e Durrësit, që është arratisur.

Familja Avdyli është pronare e dhjetëra bizneseve në Shijak, Durrës dhe disa qytete të tjera të vendit, mes tyre Flamur Avdyli zotëron kompaninë ‘Orges Albania 2016’ dhe hotelin luksoz ‘Germany’ në Durrës.

Flamur Avdyli është emigrant prej vitesh në Gjermani, ndërsa akuzohet për trafik heroine në këtë shtet dhe disa vende të tjera të Europës bashkë me vëllezërit e tij dhe anëtarët e tjerë të bandës. Sipas informacioneve nga policia e shtetit, operacioni nisi pas përgjimeve dhe të dhënave që janë sjellë nga Gjermania. Operacioni u paralajmërua pak ditë më parë nga ministri Fatmir Xhafaj.

Pasi reagoi për dy ish-deputetët e PS të arrestuar, Kryeministri Rama reagoi edhe për operacionin e madh të policisë në Shijak. Këtë herë Rama përdori edhe ironinë me opozitën.

“Atyre që bëjnë politikë me krimin, lufta kundër krimit u rrit dëshpërimin. Sa më fort do ta godasim krimin, aq më e dëshpëruar do të bëhet kundërvënia e tyre!”, shkruan Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN