Kapiteni hero! Milano vishet zikaltër

Derbi i Milanos ishte në prag të thyerjes së rekordit 29 vjeçar, kur ndeshja po shkonte drejt një barazimi 0-0, siç nuk ndodhte prej kaq shumë vitesh, por në skenë doli kapiteni Icardi që në çoi në delirë zikaltrit, duke realizuar golin e fitores në minutën e dytë të shtesës, pas një gabimi fatal të portierit Donnarumma.

Atmosfera ishte fantastike në këtë derbi, me “San Siron” e tejmbushur. Derbi i 222-të i historisë në prani të figurave që i kanë dhënë lavdi në të shkuarën, nga Zanetti te Maldini, në fushë dy skuadra që kërkojnë t’i rikthehen fisnikërisë së tyre.

Milani e nisi me dy gjuajtje jashtë katërkëndëshit, por në rastin e parë të vërtetë, Interi gjen rrjetën, shënon Mauro Icardi në krosimin e Brozovic, por kryesori Marko Guida i ndërpret festimin, duke e gjykuar golin të parregullt. Sipas tij e ka prekur Vecino duke nxjerrë jashtë loje kapitenin. Gjithsesi, vazhdon 0-0, me Interin që krijon më tepër.

Në të 22-ën, një aksion i tëri kroat me krosim të Vrsajlko dhe goditjen me kokë të Perisic gjen reagimin fantastik të Donnarumma-s. Interi shtrin më tepër dominimin, duke vënë në vështirësi kuqezinjtë, që shpëtojnë vetëm nga trau i portës në rrotullimin e De Vrij, pa fat këtë herë zikaltrit. Në të 38-ën, Icardi nuk arrin në krosimin nga e djathta të Vrsajlko, ndërsa në të 42-ën barazohen golat e anuluar, këtë herë shënon Musacchio, por këtë herë është shumë më evidente zgjatimi i topit nga Romagnoli dhe rrjedhimisht pozicioni jashtë loje. Në të 43-ën tjetër rast i humbur për Interin, me Vecinon që gabon pothuajse një penallti në lëvizje.

Në pjesën e dytë, Milani është dhe më i ndrojtur dhe loja për minuta të tëra stacionohet në gjysmëfushën e kuqezinjve, por me Interin që nuk arrin të godasë, në të 58-ën ka një krosim të bukur të Perisic me Politanon që gabon në goditje. Pas pesë minutash (63’), Vecino arrin të gjuajë, por jo në portë, në të 78-ën provon të bëjë akrobacinë në zonë Borja Valero, diçka që për moshën e tij rezulton e vështirë, ndërsa Milani ka rastin e tij të artë në të 80-ën me Suson që godet dobët nga kufijtë e zonës, pa vënë dot në rrezik Handanovic.

Menjëherë më pas rasti është në krahun tjetër, luhet “volejboll” para portës së Milanit (81’), me Icardin që zgjaton për Borja Valeron me Donnarummën që ndërhyn para zhytjes finale. Në të 87-ën një krosim i gabuar Rodriguez rrezikon të kthehet në kërcënim për Handanovic, që gjendet gati në shtyllën e parë. Ndeshja shkon në shtesë, dhe atëherë kur pritej një zero me zero, kurajë e madhe e Vecinos për këtë kros që gjen në zonë fatalin Icardi që edhe një herë, ashtu si sezonin e kaluar vulos derbin e Madonninës. Shpërthejnë tifozët zikaltër, për Interin është fitorja e pestë radhazi, 7 bashkë me dy të Championsit, fitorja e 79-të në derbin e Milanos, përkundër 76 fitoreve të Milanit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN