Aplikacionet që ju gjurmojnë edhe pasi i keni çinstaluar

Nëse mendoni se pasi e keni fshirë një aplikacion nga celulari juaj nuk keni për ta parë më, mendojeni edhe një herë…

Programuesit kanë arritur të gjejnë një mënyrë që të kuptojnë se cilët përdorues e kanë fshirë aplikacionin dhe menjëherë iu dërgojnë reklama me shumicë në përpjekje për t’i rifituar. Disa biznese kanë nënshkruar kontrata me kompanitë që prodhojnë këto aplikacione të cilat gjurmojnë njerëzit edhe pasi i kanë çinstaluar.

“Bloomberg” ka bërë të ditura edhe emrat e këtyre kompanive duke përfshirë në listë emra si Adjust, AppsFlyer, MoEngage, Localytics dhe CleverTap. Këto kompani shpesh ofrojnë edhe gjurmues të çinstalimit si pjesë të pakteve që u shesin klientëve të tyre. Ata janë në gjendje që të dallojnë nëse një përdorues e ka çinstaluar programin, falë një teknologjie të përdorur edhe më parë për përditësimin e heshtur të aplikacioneve.

Dhe kur një përdorues e fshin aplikacionin, në momentin e dërgimit të njoftimeve të heshtura për përditësime të ndryshme, programuesi nuk do të më marrë më sinjal mbrapsht, duke kuptuar që programi nuk është më në telefonin e përdoruesit.

Edhe pse kjo teknologji me shumë mundësi shkel politikat e Apple dhe Google për privatësinë e iOS dhe Android, të pyetura nga “Bloomberg” asnjëra prej firmave të lartpërmendura nuk ka pranuar të komentojë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN