Një brazilian nderon Flamurtarin, Tirana zhytet në krizë

Flamurtari i ka mjaftuar një gol i shënuar në pjesën e dytë nga braziliani Danilo Alves për të marrë 3 pikët nga ndeshje e vështirë me Tiranën dhe për t’i zhytur edhe më thellë në krizë bardheblutë.

Kjo ishte ndeshja e fundit e javës së 9-të në Kategorinë Superiore, e cila rezultoi e suksesshme për skuadrën vlonjate.

Greca testoi kuadratin e mbrojtur nga Kolici në minutat e para ndërsa Bushic provoi të njëjtën gjë, por pa sukses. Në pjesën e parë rastet e vërteta munguan ndërsa pas pushimit, formacioni vendas ngulmoi më shumë drejt portës së Ilion Likës. Goli i vetëm i ndeshjes erdhi gjithsesi nga një rrëmujë në prapavijën e kryeqytetasve.

Turtulli dhe Hoxhallari krijuan një situatë krejtësisht të evitueshme në të cilën përfshinë dhe portierin Lika, duke i dhënë mundësinë sulmuesit brazilian Danilo Alvesh, për të shënuar me kuadratin bosh.

Me këtë fitore, Flamurtari ngjitet në vendin e 5-të me 14 pikë, 8 më pak se vendi i parë që u rimor sërish nga Partizani.

Ndërkohë, Tirana ka koleksionuar humbjen e dytë radhazi pas asaj ndaj Laçit dhe 9 ndeshjet e para të kampionatit i ka mbyllur me vetëm 8 pikë të grumbulluara.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN