145 mijë paund në lavatriçe! Shqiptari arrestohet në Qafë Botë

Një 25-vjeçar shqiptar është vënë në pranga nga policia në pikën e kalimit kufitar të Qafë Botës, pasi është kapur me një shumë prej 145 220 paundësh të padeklaruara.

Denis Duro, banues në Korçë, ka tentuar të fuste në drejtim të Shqipërisë shumën e konsiderueshme të parave të padeklaruara. I riu ka qenë duke udhëtuar me automjetin tip “Mecedes-Benz” Sprinter, me targa BV 67 KËN, kur ka hyrë nga Greqia për në Shqipëri nëpërmjet pikës së kalimit kufitar në jug të vendit.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat, policia bën të ditur se Denis Duro në hyrje në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Botës, ka deklaruar mallrat që transportonte, lavatriçe dhe frigoriferë, ndërsa shumën e parave nuk e ka deklaruar, por e kishte fshehur.

Strukturat operativo – hetimore të Doganës në Sarandë në bashkëpunim me Policinë, kanë ndaluar në aksin rrugor Qafë-Botë – Sarandë automjetin që drejtohej nga ky shtetas dhe e kanë shoqëruar në PKK Kakavije për një kontroll të imtësishëm me Skaner, pasi Strukturat operativo – hetimore të Doganës dhe Policia dispononin informacion se ky shtetas po transportonte një shumë të madhe parash, të cilat nuk i kishte deklaruar në Kufi.

Pas kontrollit të imtësishëm dhe me skaner të bërë në Kakavije, në disa lavatriçe, Policia dhe Strukturat operativo – hetimore të Doganës, gjetën dhe sekuestruan 145 220 Paund anglezë dhe skocezë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN