Juventus dominon në “Old Trafford”, Mourinho nuk del nga kriza

Juventus mori një fitore të rëndësishme në “Old Trafford” duke siguruar kreun e grupit H pasi janë luajtur vetëm gjysmat e ndeshjeve në grup. Një gol i Paolo Dybala i mjaftoi bardhezinjve për të marrë tri pikët ndërsa Cristiano Ronaldo nuk mundi të shënonte në “shtëpinë e tij të dytë”.

Juventus – që deri tani nuk ka mundur të fitojë vetëm një nga të gjitha ndeshjet e luajtura në të gjitha kompeticionet – ishte dominues në të gjitha drejtimet, ndërsa skuadra e Jose Mourinhos bëri një tjetër paraqitje zhgënjyese. i vetmi ngushëllim për portugezin ishte përgjigja e tij për sulmet e tifozëve juventinë, duke ngritur tri gishta lart për t’ju kujtuar tripletën me Interin në vitin 2010.

Mbrëmja ishte më e gëzueshme për rivalët e United, Manchester City, që shkatëroi Shakhtar Donetsk 3-0 për të marrë kështu kreun e grupit F. David Silva, Aymeric Laporte dhe Bernardo Silva shënuan golat për skuadrën e Pep Guardiolas, me portugezin autor i një aksioni spektakolar individual. E duke qenë se Lyon u ndal në barazim 3-3 në fushën e Hoffenheim, City kryeson grupin me një pikë më shumë se francezët.

Real Madrid arriti të mundte Plzen 2-1, por paraqitja e madrilenëve nuk ishte aspak bindëse dhe nuk mundi të largonte zërat për shkarkimin e Julen Lopeteguit, madje edhe para ndeshjes së vitit kundër Barcelonës të dielën.

Bayern Munchen u imponua 2-0 në Athinë kundër AEK, me dy gola për dy minuta të shënuar në pjesën e dytë nga Javi Martinez dhe Robert Leëandoëski, që ulën disi preisonin ndaj trajnerit Niko Kovac.

Në ndeshjet e tjera të ditës, Valencia u ndal në barazim 1-1 në fushën e Young Boys, ndërsa Ajax shënoi në kohën shtesë për të mundur Benfican.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN