Juventus – Ndrangheta, “bashkëpunimi” vazhdon

Edhe pse prej vitesh, skuadra kampione e Italisë, Juventus, përfundoi nën akuza për shpërndarje të biletave drejt tifozerisë ultrase ku mes tyre gjendeshin edhe pjesëtarë të grupimit mafioz “Ndràngheta”, përfaqësues të ultrasve bardhezi si dhe menaxheri i biletarisë juventine kanë pranuar se kjo situatë ka vijuar deri në fund të sezonit që lamë pas.

Të paktën kështu është shprehur Bryan Herdocia një prej ultrasve të ‘Zonjës së Vjetër’ në emisionin “Report”, një ditë më parë në kanalin italian Rai 3, ku pranon bashkëpunimin e klubit me grupimin “Ultras Drughi”. Deri në këtë pikë gjithçka është e rregullt, por historia merr kuptimin atëherë kur mes ultrasve bardhezinj gjenden pjesëtarë të grupimit mafioz mbi të cilët rëndojnë akuza të ndryshme. Këta të fundit kanë shfrytëzuar marrjen e biletave nga klubi për t’i shitur në tregun e zi çmime deri në 20-fish më të larta.

Salvatore Cava, një prej tyre, i dënuar gjithashtu për vrasjen e një oficeri policie, i cili ndihmonte grupimin mafioz të zgjeronte aktivitetin brenda stadiumit, ka rrëfyer sesi në ndeshjen e një sezoni më parë në Champions League, Tottenham-Juventus, bileta që kushtonin 35 sterlina janë shitur deri në 850 sterlina.

Nga ana tjetër menaxheri i biletave të “Juventus Stadium”, ka pranuar se klubi ka bërë gjera që nuk duhet të ishin bërë. Por sipas tij ky fenomen ndodh me të gjithë klubet dhe nëse nuk do të kishin përfunduar nën akuza, do të vazhdonin të kishin të njëjtën marrëdhënie me Ultrasit.

Hyrja e disa personave të infiltruar në stadium, të cilët kanë shpalosur madje, parulla ku shkruhej “Në tribunë hyn e gjithë Calabria e bashkuar” mund të hapin hetime të reja lidhur me marrëdhëniet e kriminalitetit në Itali dhe tifozëve ultras dhe ky do ishte një skenar shqetësues për futbollin italian, veçanërisht për bardhezinjtë e Juventusit.

Shkarkoni aplikacionin e A2