Lëndë shpërthyese në shtëpinë e George Soros

Policia e New York thotë se ka realizuar një shpërthim të kontrolluar të një letre që dyshohej se kishte lëndë plasëse, në shtëpinë e miliarderit George Soros.

Pako u zbulua në kutinë postare nga një punonjës i zotit Soros i cili njoftoi menjëherë autoritetet para se të çonte në një pyll aty pranë. Incidenti i ndodhur të hënën pasdite po hetohet nga FBI.

Soros është bërë së fundmi objekt i shpeshtë kritikash nga grupime të të djathtës për shkak të mbështetjes së tij për kauza liberale në Perëndim. Sipas raportimeve të ndryshme, në momentin e gjetjes së pakos në rezidencën e tij në Bedford, Westchester, ai nuk ishte i pranishëm.

Kush është Soros?

Biznesmeni 88-vjeçar hungarez-amerikan e ka ngritur pasurinë e tij përmes operacioneve mendjemprehta por të rrezikshme financiare. Ai ka shpenzuar miliarda nga pasuria e tij për të financuar projekte të të drejtave të njeriut dhe liberale në të gjithë botën dhe gjithmonë ka qenë donator i madh i Partisë Demokratike në SHBA. Në të shkuarën ka mbështetur fushatat presidenciale të Barack Obama dhe Hillary Clinton dhe e ka etiketuar Presidentin amerikan Donald Trump “mashtrues”.

Mbështetës të teorive konspirative në SHBA e kanë akuzuar zotin Soros se qëndron pas një serie ngjarjesh politike në SHBA dhe botë. Ai akuzohet se ka rekrutuar persona për të marrë pjesë në marshimin e “Grave kundër Trump” e madje edhe organizimin e ngjarjeve të dhunshme në Charlottesville për të cënuar reputacionin e të djathtës në Shtetet e Bashkuara. Edhe në arenën ndërkombëtare ai është kritikuar nga nacionalistët dhe populistët të cilët e etiketojnë si mjeshtër i manipulimit të demokracisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN