Shokohet bota e arkeologjisë, disa nga dorëshkrimet e Biblës së Detit të Zi janë fallco!

Fragmentet e Biblës të ekspozuara në Muzeun e Biblës në Washington

Disa studiues gjerman mund të kenë zbuluar në Amerikë një nga falsifikimet më të bujshme të historisë të arkeologjisë moderne.

Sipas tyre, një pjesë e mirë e fragmenteve të Biblës së famshme të Kumran, që ekspozohen në Muzeun e Biblës në Washington dhe gjykoheshin si disa nga dëshmitë më të rëndësishme të arkeologjisë moderne, janë në fakt një falsifikim që i ka shpëtuar me vite studiuesve.

Muzeu i Biblës në Washinton

Muzeu i Biblës në Washington është një strukturë e re gjigande që ka kushtuar më shumë se 500 milion dollarë falë fondeve të miliarderit amerikan Steve Green, që përfaqëson rrymën krishtere të evangjelistëve.

Miliarderi, që është koleksionist i rëndësishëm i artit fetar, ka blerë 16 fragmente të Biblës, për një shifër ende të panjohur por sigurisht të madhe, që ekspertët përkufizojnë në disa miliona dollarë.

Studiuesve gjerman iu deshën më shumë se një vit për të analizuar fragmentet,  në veçanti bojën me të cilën ishin shkruar. Analizat vërtetuan që të paktën 7 materiale  nuk janë autentike, kurse për të tjerat duhen verifikime të mëtejshme. Në total, vetëm dy ose tre fragmente mendohen të jenë origjinale.

Dorëshkrimet e Kumran janë shkruar përgjithësisht në gjuhë hebraike

Fragmentet e Biblës të Kumran vlerësohen së tepërmi nga arkeologët dhe teologët në mbarë botën, sepse janë dorëshkrimet më të lashta të Biblës të gjetur deri më tani. Dorëshkrimet, rreth 1000 vepra të ndara në 50mijë fragmente, u zbuluan në vitet 40-50 të shekullit të kaluar në disa guva jo larg Detit të Vdekur, në Palestinë.

Guvat në Palestinë ku në vitet ’40 u gjetën dorëshkrimet

Të shkruara më shumë se 2000 vjet më parë nga sekti i Esenëve në gjuhë hebraike dhe greke, tekstet e gjetura në Kumran janë të rëndësishme sepse janë të vetmet dëshmi që nuk janë filtruar ndër shekuj nga redaktimi dhe censura e institucioneve të ndryshme. Madje kjo veçanti ka frymëzuar shumë autorë të ndryshëm që shkruajnë për tema komplotiste, si për shembull Dan Brawn në të famshmin Kodi Da Vinci.

Të ruajtur me xhelozi për dekada nga autoritetet izraelite, duke filluar nga viti 2002 rreth 70 fragmente kanë dalë në treg në mënyre misterioze, duke ndezur një ankand të çmendur midis koleksionistëve më të njohur. Studiuesit gjykojnë gjithsesi që pjesa më e madhe e tyre mund të jenë një falsifikim modern, por me sa duket shumë i shtrenjtë.

Shkarkoni aplikacionin e A2