“Toyota Yaris”, Basha: Prokuroria ka prova ta arrestojë menjëherë Ballën

“Prokuroria ka prova të mjaftueshme për të kërkuar menjëherë arrestimin e Taulant Ballës, por e kapur nga pushteti kriminal i Edi Ramës, prokuroria po i kalon lidhjet e pushtetarëve me krimin si sekret shtetëror”,

Kështu u shpreh kreu demokrat Lulzim Basha menjëherë pas daljes nga Prokuroria pasi dëshmojë për çështjen e shumëpërfolur, “Toyota Yaris”.

“Prokuroria ka kërkuar dëshminë time për nxjerrjen e sekretit shtetëror për sa i përket futjes së parave të krimit me Toyota Yaris. Ky veprim dëshmon se deklaratat e mia publike për përfshirjen e Taulant Ballës në këtë çështje janë të vërteta”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike, ndër të tjera, u shpreh se Prokuroria ka prova të mjaftueshme për të kërkuar menjëherë arrestimin për  Taulant Ballën, por edhe për të dënuar, sipas tij, me dekada, Saimir Tahirin, Qazim Sejdinin, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin.

“Prokuroria, në vend që të hetojë prapa transaksioneve me euro, e heton si nxjerrje të sekretit shtetëror. Lidhjet e Dakos dhe Tahirit me bandat e krimit të organizuar i trajton si sekret shtetëror. Prokuroria ka përgjime zyrtare dhe prova për të kërkuar menjëherë arrestimin e Taulant Ballës. Ka prova dhe fakte për ta kërkuar dekada burg për Saimir Tahirin, Qazim Sejdinin, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin. Ka fakte dhe prova për ta zhdukur Fatmir Xhafajn nga politika”, tha Basha.

Shkarkoni aplikacionin e A2