Zjarr në servis, digjen 10 makina luksoze, dëmi rreth 350 mijë euro

Të paktën 10 makina luksoze janë përfshirë nga flakët gjatë natës në një servis në qytetin e Elbasanit.

Policia ka bërë të ditur se nga të dhënat e para dyshohet se zjarrvënia të ketë qenë e qëllimshme. Autorët dyshohet se kanë hyrë nga një dritare në pjesën e pasme të servisit. Mes makinave të djeguara është edhe një Ferrari, por edhe një jaht, të cilat kapin vlerën e rreth 350 mijë eurove.

Pronari i servisit është shtetasi Elton Kila, i cili u ndalua pak ditë më parë për shkak të një urdhër arresti ndërkombëtar që ishte lëshuar ndaj tij nga Italia. Shteti italian e akuzon Kilën se ka kryer disa vepra penale, duke filluar që nga pjesëmarrja në një organizatë kriminale, në trafik narkotikësh, mashtrim dhe kallëzim të rremë.

“Gjatë natës në lagjen “Skënderbej”, Elbasan në servisin dhe pike-shitje “Autohokej” të automjeteve, në pronësi të shtetasit E.K., ka rënë zjarr. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe zjarrfikësja, ku kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Si pasojë e rënies së zjarrit janë djegur disa automjete. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkakut të zjarrit”, thuhet në njoftim zyrtar të policisë së Elbasanit.

Shkarkoni aplikacionin e A2