Sondazh: Si ka ndryshuar figura e babait në familje ndër vite?
  • Më i pranishëm me fëmijët 14%
  • Më i zënë në punë 71%
  • Ndihmon në shtëpi 14%

Interi bie në Barcelonë, Dortmund shkatërron Atletico-n

Nga A2 CNN
24 Tetor 2018, 22:50 | Futboll

Pavarësisht mungesës së Lionel Messit, Barcelona ka arritur të triumfojë me rezultatin 2-0 ndaj Interit në “Camp Nou” dhe të hedhë një hap të sigurt drejt kualifikimit në Ligën e Kampionëve.

Ish-futbollisti i Interit, Rafinha, i cili sot zëvendësonte pikërisht Messin e dëmtuar, gjeti golin e parë për katalanët, duke mposhtur Handanoviçin pas një aksioni mjaft të bukur, të nisur nga ai vetë, në bashkëpunim me sulmuesin Luis Suarez.

Nga ana tjetër Interi pati një mundësi të artë me Icardin, por në sulmuesi dhe kapiteni i zikaltërve rrëshqiti në momentin që po përgatitej të gjuajë në kuadrat.

Pjesa e dytë nisi me Interin si protagonist, që shtoi presionin dhe arriti të krijojë disa mundësi të mira shënimi, por fillimisht Politano dhe më pas Borja Valero, nuk arritën të ndëshkojnë katalanët.

Kur kishin mbetur vetëm pak minuta nga fundi i lojës, një kundërsulm i shpejtë i skuadrës së Valverdes u konkretizua nga Jordi Alba, i cili mposhti portierin Handanoviç dhe sigloi triumfin.

Një tjetër italiane, Napoli befasoi Paris Saint Germainin e mbushur me yje, në “Parc des Princes”, duke i rrëmbyer një barazim me rezultatin 2-2, në një nga sfidat më interesante të mbrëmjes.

Skuadra e Ancelottit luajti si e barabartë me kundërshtarin dhe arriti të shënojë nga një gol për çdo pjesë, fillimisht me Insignen dhe më pas me belgun Mertens, ndërsa PSG barazoi përkohësisht me një autogol të Mario Ruit dhe më pas me Di Marian në sekondat e fundit të takimit.

Në po të njëjtin grup, Liverpool mposhti me rezultatin e thellë 4-0 serbët e Crvena Zvezdës, në sfidën e luajtur në “Anfield Road”. Dy herë Salah, dhe nga një herë Firminho e Mane, ishin autorët e golave për skuadrën e Klopp, që ngjitet në vendin e dytë të renditjes në grup.

Po me rezultatin e thellë 4-0, Borussia Dortmundi shtangu Atleticon e Madridit në Gjermani, në një sfidë që “nëndetësja verdhezi” e dominoi totalisht. Witsel, Sancho dhe dy herë Guerrero ishin autorët e golave për skuadrën e drejtuar nga Lusien Favre.

Në sfidat e tjera, Galatasaray u nda në barazim pa gola në sfidën përballë gjermanëve të Schalke 04, ndërsa Porto triumfoi me rezultatin 1-3 në transfertën ruse ndaj Lokomotivës së Moskës. Më herët, Tottenham zhgënjeu në Holandë, ku nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 përballë PSV-së, duke komplikuar rrethanat për një kualifikim të mundshëm, ndërsa Henry debutoi me një barazim 1-1 në Belgjikë ndaj Club Brugges, në stoli ne skuadrës së Monacos.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani