Titaniku 500 milionë dollarësh fillon lundrimin në vitin 2022, këtë herë do të ketë më shumë varka shpëtimi

Një anije identike me Titanikun duhet të nisë lundrimin në vitin 2022 dhe do të realizojë të njëjtin udhëtim si anija e famshme që u mbyt në oqeanin Atlantik në vitin 1912 duke marrë 1500 jetë njerëzish.

Punimet për Titanikun e dytë kanë nisur që në vitin 2012, kur manjati australian Clive Palmer bëri publik planet e tij për herë të parë. Por të hënën Palmer zbuloi se projekti që do të kushtojë 500 milionë dollarë ka rifilluar pasi u ndërpre përkohësisht për shkak të problemeve financiare.

Titaniku i ri do të ketë të njëjtën arkitekturë dhe dizajn me paraardhësin në mënyrë që të gjithë udhëtarët të kenë të njëjtën ndjesi me ata që ndërmorën udhëtimin e famshëm më shumë se një shekull më parë.

Anija do të mund të mbajë thuajse të njëjtin numër pasagjerësh si origjinali – 2044 – dhe 900 pjesëtarë të ekuipazhit. Por siç ka premtuar edhe Palmer do të ketë shumë më tepër varka shpëtimi. Kur nisi lundrimin e parë (dhe të vetëm) më 10 prill 1912, Titaniku konsiderohej si anija që nuk mund të fundosej. Por pesë ditë më vonë ajo përfundoi në fund të oqeanit pasi u përplas me një ajsberg.

Anija e re do të niset fillimisht nga Dubai për në Southampton, ku më pas do të kryejë edhe udhëtimin nga qyteti anglez për në New York.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN