Këngëtarja e polemikave, nga grisja e fotos së Papës te konvertimi në fenë Islame

zyraja

Sinéad O’Connor, këngëtarja irlandeze godet sërish pasi është konvertuar në fenë Islame. Ajo është përfshirë shpesh në polemika, sidomos kur në vitin e largët 1992 grisi një foto të Papës.

Një ditë më parë, O’Connor ka njoftuar përmes rrjetit social “Twitter” se është konvertuar në fenë Islame. Artistja, e cila njihet më së shumti për hitin e saj të vitit 1990 “Nothing Compares 2 U”, tha se e kishte ndryshuar emrin e saj në Shuhadà. Po përmes “Twitter”-it, ajo falënderoi ndjekësit myslimanë të saj për mbështetjen. Shpjegimi për vendimin e saj është “konkluzioni i natyrshëm i çdo udhëtimi të teologut inteligjent” e për këtë ngarkoi edhe një video teksa këndonte “adhan”-in, apo thirrjen islamike për lutje.

Të enjten, imami irlandez Shaykh Dr Umar al-Qadri publikoi gjithashtu një video të këngëtares, teksa shprehte deklaratën e besimit islamik.

Kjo nuk është hera e parë që O’Connor, e cila e kishte ndryshuar edhe vitin e kaluar emrin, ligjërisht në Magda Davitt, që flet hapur për besimin e saj. Në vitin 1992, ajo shkaktoi debate të forta kur grisi një foto të Papës gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në një televizion amerikan. Shtatë vite më vonë, ajo u shugurua nga një kishë e shkëputur në Lourdes.