“Pse dha dorëheqjen arkitekti i reformës në drejtësi?!”

Dorëheqja e Fatmir Xhafës nga posti i ministrit të Brendshëm vjen e papritur. Vetëm një javë më parë Policia e Shtetit , strukturë e Ministrisë së Brendshme, zhvilloi me sukses Mega-Operacionin e parë në Shqipëri për nga përmasat dhe rezultatet: në 12 qytete të Shqipërisë, në të njëjtën kohë, u arrestuan anëtarët e 4 grupeve kryesore kriminale të trafikut të drogës, që bashkëpunonin mes tyre si një organizatë kriminale.

U shkatërrua laboratori i përpunimit të heroinës, në Has, të qarkut të Kukësit. U arrestuan dy ish-deputetë socialistë, Arben Ndoka dhe Arben Çako, për bashkëpunim me krimin e organizuar të trafikut të drogës. Pse dha dorë heqjen Fatmir Xhafaj pas suksesit të fundit? Kjo mbetet ende e panjohur. Vet të ish-ministri Xhafaj, në një pronocim për mediat, të shtunën paradite nuk dha asnjë shkak për dorëheqjen e tij.

“Sfidat kanë qene tepër të mëdha , por jam krenar që në krye të një ekipi me integritet dhe përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi arritur suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej të cilave, të konsideruara të pamundura për vite të tëra”, tha Fatmir Xhafaj.

Në Maj të këtij viti, Xhafaj hodhi poshtë kërkesën e opozitës për të dhënë dorëheqjen, që pretendonte se ai kishte fshehur dënimin e vëllait të tij, Agron Xhafaj, në vitin 2002 në Itali për trafik droge dhe e kishte mbrojtur nga drejtësia në Shqipëri, ku i vëllai ishte ekstraduar nga autoritetet italiane.

Para marrjes së postit të Ministrit të Brendshëm në shtator 2017, në qeverinë Rama 2, Fatmir Xhafaj, si kryetar i komisionit të ligjeve ka qenë një nga arkitektët e reformës në drejtësi, kushtit kryesor të BE për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë. Opozita e konsideron dorëheqjen e Fatmir Xhafës si: “hap të rëndësishëm të përpjekjeve të sa për të pastruar politikën nga krimi”. Kryetari i PD, Lulzim Basha, shkruan në median sociale se: “largimi i Fatmir Xhafës është fillimi i shkërmoqjes së bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin”/DW.

Shkarkoni aplikacionin e A2