U “ngujua” në zyrë për 9 orë, Xhafaj asnjë fjalë për dorëheqjen

Pas lajmit se ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është dorëhequr, interesi ishte i jashtëzakonshëm për të mësuar arsyet e këtij largimi të bujshëm nga qeveria e drejtuar nga Rama.

Vetëm pak orë pas publikimit të lajmit në Twitter nga Rama, në të njëjtin rrjet social, ish-ministri e konfirmoi atë duke thënë se dorëheqjen e ka dhënë me vullnetin e tij të plotë, ndërsa pas falenderimit të Ramës për besimin dhe ekipit të tij të punës, nuk jep asnjë arsye për këtë largim.  

“Vlerësim dhe mirënjohje nga zemra për të gjithë ata gra dhe burra në uniformë, për gjithçka bënë gjatë kësaj periudhe në luftë me krimin dhe paligjshmërinë. Një falënderim i veçantë edhe për partnerët vendas dhe ata të huaj, agjencitë ligj zbatuese vendase e ndërkombëtare, mbështetja e të cilëve ka qenë një inkurajim shumë i rëndësishëm”.

Mësohet se më pas, rreth orës 12 të mesditës, Xhafaj shkoi në zyrën e tij, ndërsa qëndroi aty deri në orën 9 të mbrëmjes.

Një numër i madh gazetarësh, ishin mbledhur jashtë goditës, por në dalje Xhafaj nuk tha asnjë fjalë për ta. Pak më herët se të dilte nga zyra, ish-ministri bëri edhe një tjetër postim në “Twitter”, ku përsëriti edhe njëherë se dorëheqja ishte dhënë me vullnetin e tij të plotë, por arsye nuk dha. Ai shkroi më tej, se tashmë që nuk është më ministër, sfidon opozitën të provojë akuzat e saj të deritanishme ndaj tij.

Shkarkoni aplikacionin e A2