Hamilton mes legjendave, fiton titullin e pestë

Ashtu siç pritej, Lewis Hamilton u shpall kampion i Formula 1 për vitin 2018 pasi mbylli në vend të katërt garën e Çmimit të Madh të Meksikës. Ky ishte titulli i pestë për pilotin britanik, i cili ngjitet kështu në majën e këtij sporti, duke barazuar legjendën Juan Manuel Fangio. Para tij mbetet vetëm Michael Schumacher, i cili ka fituar 7 herë titullin kampion gjatë karrierës së tij.

“Është një ndjesi e çuditshme, një sukses që u arrit falë punës së madhe përgjatë gjithë sezonit. Edhe Fangio e bëri këtë me makinën Mercedes kështu që është diçka e jashtëzakonshme për mua”, u shpreh britaniku pas garës.

33-vjeçarit i duhej vetëm të mbyllte garën në vend të shtatë për t’u shpallur kampion, edhe nëse rivali i tij Vettel fitonte garën. Por gjermani e mbylli i dyti, pas Max Verstappen, ndërsa Daniel Ricciardo, i cili u nis i pari, përfundoi jashtë për shkak të problemeve me motorin.

Pavarësisht problemeve që pati Hamilton, Vettel e kishte të pamundur të mbante hapur garën për titull, pasi tashmë fati i sezonit ishte vendosur. Vendimtar për suksesin e pilotit të Mercedes – një prej më të mëdhenjve të historisë së automobilizmit – ishte fitorja e gjashtë garave nga shtatë, që prej Çmimit të Madh të Gjermanisë në fund të korrikut deri në garën e Japonisë në fillim të tetorit.

Shkarkoni aplikacionin e A2