Sulmon me armë policinë në Bularat, vritet pas një shkëmbimi zjarri ekstremisti grek


Konstantinos Kaçifa, 35 vjeç, i vrarë pas sulmit ndaj forcave të policisë 

Një ngjarje tepër e rëndë këtë mëngjes rreth orës 10 ka krijuar terror në fshatin Bularat të Gjirokastrës. Ballafaqimi me armë i një 35 vjeçari me origjinë greke me forcat e policisë shqiptare ka përfunduar tragjikisht me vdekjen e tij nga ana e forcave RENEA.

Ndërkohë që në varrezat e fshatit zhvillohej qetësisht ceremonia përkujtimore e ushtarëve grekë, ku merrnin pjesë autoritete të dy vendeve, pak më larg dëgjoheshin krismat në ajër të armës me të cilën shtetasi Konstantinos Kaçifa po terrorizonte banorët lokal.

Dëmet e shkaktuara nga sulmi i Kaçifës

Akti i dhunshëm i 35 vjeçarit me origjinë greke, lindur ne Bularat por prej vitesh banues në Greqi, alarmoi menjëherë forcat e rendit. Sipas dëshmive, sapo ka parë forcat e rendit, Kaçifa ka shtënë një breshëri ndaj patrullave të policisë, duke shkaktuar dëme në makinat por pa shkaktuar viktima.

Menjëherë pas këtij akti ekstrem, i riu është larguar drejt banesës së tij, ka marrë disa karikatorë shtesë dhe është larguar në drejtim të malit. Aty, afër depos të ujit të fshatit, ka nisur edhe shkëmbimi final me forcat RENEA, pas refuzimit të të riut për të dorëzuar armët. Si pasojë e këtij shkëmbimi të zgjatur disa minuta, Kaçifa mbeti i vrarë nga një plumb në kraharor.

Nje nga postimet e fundit të të vrarit, ku kritikon marrëveshjen midis Ramës dhe Tsipras. 

Në profilin e tij në Facebook i riu kishte publikuar disa foto me tema nacionaliste greke,  si dhe me thirrje antishqiptare. Së fundmi ai kishte postuar një reagim kundër marrëveshjes të dy qeverive, që sipas tij ishte e papranueshme. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi hetimor për zbardhen e aktit të rëndë.

Shkarkoni aplikacionin e A2