Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Vrasja në Bularat, reagojnë qeveritë greke dhe shqiptare

Nga A2 CNN
28 Tetor 2018, 20:36 | Kronikë

Vrasja ditën e sotme e të riut me origjinë greke Konstantinos Kaçifa në fshatin Bularat të Gjirokastrës, pas sulmit të tij me prapavijë nacionaliste ndaj forcave të rendit shqiptare, shkaktoi menjëherë reagimet zyrtare të dy qeverive të përfshira.

Konstantin Kaçifa

E para në reagim ka qenë Ministria e Jashtme e Athinës, që në deklaratën e saj për shtyp ka shprehur “dhembjen e thellë për vdekjen e homogjenit grek” dhe i ka shprehur ngushëllime familjes.

Reagimi zyrtar i Ministrisë së Jashtme greke mbi vrasjen e Konstantin Kaçifës

Athina zyrtare e ka cilësuar gjithsesi si të “papranueshëm faktin që një operacion arriti deri aty sa të humbasim jetë njeriu”, duke kërkuar nga Tirana  një sqarimin të plotë të kushteve në të cilat humbi jetën 35 vjeçari Konstandinos Kaçifa.

Nga pala shqiptare, nuk ka vonuar reagimi i kryeministri shqiptar, edhe një herë duke përdorur kanalin e rrjeteve sociale. Në reagimin e tij, kryeministri shqiptar ftoi palën greke të mos nënvizojë gjestin e viktimës, por faktin që u shmang falë forcave të policisë një tragjedi akoma më e madhe.

Postimi i kryeministrit Rama për ngjarjet në Bularat

“Fqinj të dashur! Në vend ta quani të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë, e cila bëri vetëm detyrën e saj, bashkohuni me ne në falënderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi sot nga marrëzia ekstremiste”, thuhet në reagim.

Gjithë mediat greke kanë pasqyruar ngjarjet në fshatin shqiptar pranë Gjirokastrës, dhe nuk kanë munguar reagimet e ashpra të pjesës ekstreme të elektoratit helen, me thirrje antishqiptare dhe plane për protesta përballë ambasadës shqiptare në Athinë.  

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani