Skënderbeu rokadë me Partizanin, tifozët: 1 grek më pak, 1 bastard më pak

Skënderbeu doli fitues në ndeshjen më të rëndësishme të javës së 10 në Kategorinë Superiore dhe jo vetëm ndaj Partizanit, me rezultatin 0-2.

Përballja mes dy pretendentëve për titullin solli edhe rokadën në renditje, me Demat e Kuq që u dorëzuan në një sfidë direkte, edhe pse kishin më shumë raste. Dy skuadrat e nisën 90 minutëshin e “Selman Stërmasit” respektivisht në vendin e parë dhe të dytë, por e përfunduan duke ndërruar pozicionet. Asnjë gol nuk dhuroi fraksioni i parë i lojës mes Partizanit dhe Skënderbeut. Partizani kishte disa raste të me Asanin dhe Belicën por nuk mundi të shënojë në portën e Teqes ndërsa në skajin tjetër përpjekjet e Bregut ishin të izoluara nga pjesa tjetër e ekipit, dhe aspak efikase.

Në fraksionin e dytë trajneri i Skënderbeut hodhi në fushë Muzakën, dhe mesfushori i shpërbleu besimin në topin e parë që kapi. Pas një krosimi në zonën e vendasve, Muzaka shkarkoi në rrjetë të djathtën e tij duke ndëshkuar ish ekipin në golin e parë të ndeshjes. Partizani tentoi të rikthente baraspeshën me Malën dhe Bardhin por fati i keq dhe mungesa e koordinimit, i mohuan golin qindra tifozëve të pranishëm. Në minutat shtesë, Bregu shënoi sërish duke vulosur suksesin. Skënderbeu merr vendin e parë me 1 pikë më shumë se Partizani. E vetmja notë negative e mbrëmjes së korçarëve ishte dëmtimi i mbrojtësit Kristi Vangjeli.

Përveç futbollit në fushën e luajtur në tribuna ndodhën episode aspak të këndshme, që nuk kanë aspak lidhje me këtë sport e protagonist ishin tifozët e Partizanit. “1 grek më pak, 1 bastard më pak” ishte banderola e shpalosur nga tifozët e partizanit, vetëm një ditë pas vrasjes së 35-vjeçarit në Bularat.

Ndërkohë, në fundin e takimit, tifozët e Partizanit nuk ishin aspak të kënaqur me gjykimin e arbitrit Enea Jorgji, ndaj të cilit reaguan duke e goditur me sende të forta teksa po futjen në dhomat e zhveshjes.

Shkarkoni aplikacionin e A2