93% e fëmijëve në botë thithin ajër toksik çdo ditë

Çdo ditë, rreth 93% e fëmijëve në botë nën moshën 15 vjeç thithin ajër aq të ndotur sa që shëndeti dhe zhvillimi i tyre vihet në rrezik të madh. Tragjikisht, shumë prej tyre humbin edhe jetën. Në vitin 2016, nga 1,8 miliardë fëmijë të kësaj grup moshe, 600 000 ndërruan jetë për shkak të infeksioneve në organet e frymëmarrjes.

Shifrat alarmante që vijnë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë u publikuan para konferencës së parë globale mbi ndotjen e ajrit që do të zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës.

Ndotja e ajrit është një prej kërcënimeve kryesore të shëndetit të fëmijëve nën 5 vjeç, pasi është shkaku i vdekjes së 10% të fëmijëve të kësaj grup moshe.

Ndotja e ajrit prek gjithashtu edhe zhvillimin neurologjik dhe aftësinë e mësimit të gjërave të reja, ndërsa është shkak edhe për astmën, kancerin te fëmijët, por edhe sëmundjet kardiovaskulare.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fëmijët janë më të prekur nga ajri i ndotur pasi ata marrin frymë më shpesh dhe si pasojë thithin më shumë substanca të ndotura.

Raporti tregon gjithashtu se 40% e popullsisë botërore, ku përfshihen edhe 1 miliardë fëmijë nën moshën 15 vjeç, janë të ekspozuar ndaj ajrit të ndotur, kryesisht për shkak të gatimit përmes teknologjisë ndotëse dhe karburanteve.

Shkarkoni aplikacionin e A2