Familjarët e Kacifas kërkojnë ekspertizë greke, trupi dërgohet në Tiranë

Trupi i pajetë i 35-vjeçarit të vrarë ditën e diel nga RENEA në fshatin Bularat, pasi qëlloi me armë ndaj policisë, është dërguar pasditen e sotme në Tiranë për një ekzaminim më të detajuar, për t’i dhënë një përgjigje edhe familjarëve të viktimës.

Kjo erdhi pas kërkesës së bërë nga Krimet e Rënda, ndërsa ditën e sotme familjarët refuzuan të tërhiqnin trupin nga morgu pasi kërkuan ekspertizë greke.

Mësohet se autoritetet shqiptare kanë pranuar që ekspertët grekë të marrin pjesë si në ekspertizën e trupit, por vetëm si vëzhgues e jo të bëhen pjesë e tij.

Tirana zyrtare thërret ambasadoren greke

Ndërkohë, mbrëmjen e së martës, ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Surani u thirr në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për ngjarjen e ndodhur në Bularat, Gjirokastër.

“Ambasadores iu komunikua pozicioni i qartë i autoriteteve shqiptare lidhur me çështjen në fjalë. Ambasadores i’u theksua se ngjarja e rëndë po hetohet nga Prokuroria Shqiptare. Ky institucion është autoriteti i vetëm që në bazë të kushtetutës dhe legjislacionit penal shqiptar kryen hetim të pavarur për çdo vepër penale që ndodh në territorin e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përsëriti thirrjen për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të kësaj çështje, duke siguruar se Shqipëria është vend i sigurt e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke.

Shkarkoni aplikacionin e A2