Presidenca: “Bularati” i izoluar. Banderola në stadium, e dënueshme

Prej dy ditësh ngjarja kryesore në vend është padyshim ajo e Bularatit, ku mbeti i vrarë nga forcat RENEA 35-vjeçari Kostandinos Kacifas, pasi qëlloi mbi policinë.

Ngjarja ka kaluar edhe kufirin, duke sjellë edhe reagime nga pala greke, e protesta në Athinë. Por si për të qetësuar këtë situata, ka reaguar edhe Presidenca.

Me anë të zëdhënësit, në deklaratën e presidencës thuhet se ngjarja është e izoluar dhe nuk duhet të politizohet.

“Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi do vazhdojnë të jenë ura solide të këtyre marrëdhënieve dhe kësaj miqësie”.

Presidenti Meta vlerëson qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive.

Në të njëjtën kohë, Presidenti Meta thekson se parulla e shfaqur dje në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu është jo vetëm e papranueshme, por thellësisht e dënueshme.

“Një parullë e tillë antisportive dhe raciste është edhe një fyerje për korifenjtë e futbollit shqiptar që nderuan fanellën e ekipit tonë kombëtar duke patur kombësinë greke. Sidoqoftë këto ngjarje të izoluara duhet të na shërbejnë si një kambanë alarmi për të parandaluar dhe frenuar që në gjenezë pasojat e gjuhës së urrejtjes mes popujve tanë”, thuhet në reagim.

Për banderolën në stadiumin “Selman Stërmasi”, në mbrëmjen e së martës pati një reagim të fortë edhe nga FSHF-ja, e cila u distancua totalisht, ndërsa e konsiderojë atë të dënueshme.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN