“Ju kemi vënë bombë!”, Tirana zyrtare thërret ambasadoren greke

Ambasadores greke në Tiranë, Eleni Surani, i është dashur të japë sërish shpjegime në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme në lidhje me ngjarjet e ditës së mërkurë në Athinë.

Ambasadorja e Greqisë mësohet se është thirrur pasditen e sotme, po ashtu si edhe një ditë më parë, në MEPJ.

Me anë të një njoftimi, ministria ka bërë të ditur se i ka kërkuar ambasadores Sourani që Greqia të distancohet dhe të dënojë këto akte të rënda që cenojnë miqësinë mes dy vendeve. Pas vrasjes së ekstremistit grek, Kostandinos Kacifas disa biznese shqiptare në Athinë janë djegur, ndërsa ka pasur edhe kërcënime nga ana e ekstremistëve, djegie të flamurit shqiptar dhe së fundmi alarmi për bombë.

Alarmi përbombë në ambasadën shqiptare në Athinë

“Ju kemi vënë bombë”, kjo ishte fjalia e shkurtër që alarmoi të gjithë stafin e ambasadës shqiptare në Athinës, duke bërë që të evakuohej e gjithë godina këtë të mërkurë.

Telefonata ka qenë vetëm 7 sekonda. Mësohet se menjëherë ambasada ka njoftuar policinë, e cila ka rrethuar me perimetër sigurie të gjithë zonën. Kontrolli policor i policisë greke ka zgjatur rreth një orë dhe ka qenë i shtrirë në ambientet e jashtme dhe brenda godinës së ambasadës. Autoritetet greke pas kontrollit disa orë nuk kanë gjetur asgjë dhe alarmi ka rezultuar falas. Ndërkohë që mediat greke e tjetërsuan alarmin për bombë duke e referuar pranë Gjykatës së Lartë të Greqisë.

Rritja e tensioneve mes Shqipërisë dhe Greqisë nisi pas vrasjes së minoritarit në Gjirokastër. Ekstremistët grekë organizuan disa protesta para ambasadës dhe konsullatës shqiptare, i vendosën zjarrin një biznesi me pronar shqiptar në Athinë dhe mbrëmë dogjën edhe flamurin kuqezi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN