Manovra italiane: Me tre fëmijë bëheni pronar toke

Qeveria italiane po planifikon që të shpërblejë prindërit që bëjnë një fëmijë të tretë duke u dhënë një sipërfaqe toke, një lëvizje kjo që kryhet për të rritur numrin e lindjeve në vend, që kohët e fundit kanë qenë në rënie të lirë.

Plani është ideuar nga Lega dhe është përfshirë në projektligjin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Sipas tij familjet që shtohen me një fëmijë të tretë në periudhën 2019-2021 do të bëhen pronarë të një toke bujqësore për 20 vjet.

“Thonë që italianët bëjnë pak fëmijë dhe kjo duhet të ndryshohet”, tha ministri i Bujqësisë Gian Marco Centinaio. “Prandaj ministria dëshiron të japë kontributin e saj, duke favorizuar zonat rurale në veçanti, ku ende bëjnë fëmijë”.

Italia ka normën më të ulët të lindshmërisë në Europë. Vitin e kaluar u regjistruan vetëm 464 000 lindje të reja, një rekord negativ. Nisma mbështetet edhe nga ministri konservator i Familjes Lorenzo Fontana, por ai tha se duhej kufizuar vetëm te çiftet e martuar.

Sa i përket të huajve që mund të jenë të interesuar për t’u bërë pjesë e nismës, duhet të kenë jetuar në Itali për 10 vitet e fundit.

Shkarkoni aplikacionin e A2