Milani, fitore me “aromë” Champions-i ndaj Genoa-s

Ishte një ndeshje e prapambetur dhe të gjithë në kampin kuqezi e gjuanin një trepikësh të sigurt, por në fakt edhe pse Milani triumfoi ndaj Genoas mbrëmjen e së mërkurës, sërish fitorja rezultoi tejet e vështirë dhe erdhi vetëm në minutat e shtesës.

Milanin fitoi 2-1 me Genoan, me një gol të shënuar nga kapiteni Romagnoli në minutën e dytë të shtesës.

Skuadra e drejtuar nga Gattuso, i cili rreshtoi sërish formacionin 4-4-2, me Higuain e Cutrone në majën e sulmit zhvilloi një ndeshje të kënaqshme.

Spanjolli Suso tregoi edhe njëherë tjetër se është lojtari më në formë te kuqezinjtë, duke shënuar që në minutën e katërt të takimit.

U mendua se Milani do të realizonte një goleadë në këtë ndeshje dhe gjithçka do të ishte e lehtë për ta për të marrë 3 pikët, por Genoa nuk u dorëzua, madje pjesa e mbetur në 45 minutat e para ishte e gjitha për ata.

Megjithatë pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me golin e Susos, ndërsa me të nisur pjesa e dytë, Milani do të pësonte një gol aksidental, me Romnagnolin që e devijoi topin i fundit drejt portës.

Milani tentoi me të gjitha mënyrat më pas për të gjetur golin e avantazhit, por ai erdhi në një aksion pa shumë pretendime në minutën e dytë të shtesës. Një largim topi në mënyrë të pasigurt nga portieri i Genoas, që deri në atë minutë kishte shpëtuar disa herë portën e tij, u shfrytëzua mjaft mirë nga Romagnoli, që goditi nga jashtë zonë duke ngritur peshë të pranishmit në “San Siro”.

Një gol me mjaft vlera ky i kapitenit, i cili e çoi Milanin në kuotën e 18 pikëve, në vendin e katërt në renditje, i cili nëse do të vazhdojë të mbahet nga skuadra e Gattusos do të ishte një objektiv i përmbushur dhe një biletë për Champions League.

Shkarkoni aplikacionin e A2