Apple humbet “kurorën” 1 trilion dollarëshe

Apple e humbi shumë shpejt kurorën e kompanisë me vlerë 1 trilion dollarë pasi aksionet e saj humbën 7% të vlerës së tyre pavarësisht publikimit të rezultateve shumë të mira nga shitjet.

Strategjia e kompanisë amerikane për të rritur çmimin e telefonave ka dhënë rezultat pasi të ardhurat në tre muajt e fundit janë rritur ndjeshëm edhe pse shitjet jo. Të ardhurat u rritën me 20% nga viti i kaluar, duke kapur vlerën 62,0 miliardë dollarë, ndërsa fitimet u rritën me 31%, në vlerën 14,1 miliardë dollarë.

Por paralajmërimi për rënie të shitjeve në muajt e ardhshëm bëri që çmimi i aksioneve të pësojë rënie pas mbylljes së burës të enjten pasdite. Rënia u përshpejtua sidomos pasi Apple tha se nuk do të raportonte më mbi numrin e njësive të shitura, me pretendimin se kjo e dhënë nuk kishte më vlerë për “shëndetin financiar” të kompanisë.

Por kritikët mendojnë se kjo lëvizje bëhet për të maskuar performancën jo dhe aq të mirë të kompanisë, duke u nisur edhe nga rënia e numrit të telefonave të shitur nga të gjitha kompanitë në vitin 2017.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN