Tahiri: Italia e tha fjalën e fundit, tani pres drejtësinë në Shqipëri

I qetë dhe me një ndjesë për zërin e ngjirur, Saimir Tahiri bëri “zhurmën” e kësaj të enjteje. Edhe pse ditë me shi, ai tha se provat e tij ishin të qarta si drita e diellit.

“Unë kam heshtur në respekt të hetimeve. Kam 1 vit që hesht. Zgjodha të mos bëja politikanin, siç kanë bërë ata që kanë qeverisur për 30 vitet e fundit. Kanë vrarë, kanë vjedhur dhe nuk janë hetuar kurrë. Kanë blerë prokurorë, gjyqtarë, gazetarë e media. Zgjodha të bëj qytetarin, të mos bëj politikë. Por të pres hetimet. Kam heshtur vetëm unë. Gazetarët plasin lajme bombastike për mua. Por unë s’kam bërë asgjë tjetër veçse kam qeshur. Disa të tjerë që bëjnë sikur më njohin, por s’më kanë njohur kurrë. Menjëherë pas tyre ambasadorë që flisnin për mua, gjë që në vendet e tyre s’do e bënin dot kurrë. Kanë gënjyer për mua çdo ditë. Ndërsa unë kam pritur të vërtetën time. Kam patur dhe kam shumë për të thënë. Sot unë kam vendimin e Gjykatës italiane ku provohet se nuk jam i përfshirë në asnjë aferë të paligjshme”, u shpreh Tahiri”, tha Tahiri.

Ish-ministri i Brendshëm sulmoi ata që e kanë akuzuar gjithë kësaj kohe, duke i quajtur “bilbila dhe kopila”.

“Bilbilat dhe kopilat kërkuan që të futesha në burg. Nuk e themi ne, thoshin, por antimafia italiane. Dhe unë ua bëra qejfin duke kërkuar që të hetohesha në Itali. Antimafia italiane ka verifikuar gjithçka, fatura fiskale, kamera, tabulate telefoni dhe doli në përfundimin se janë gënjeshtra. Janë verifikuar të gjitha lëvizjet e mia në zonën Shengen dhe është mbyllur gjithçka. Këto i thotë Prokuroria e Antimafias italiane dhe më dorëzuan këtë vendim të qartë si dielli”, tha Tahiri.

“Unë po ndaj me ju një lajm të mirë për mua dhe familjen time. Është forcë për ata njerëz të thjeshtë që kanë besuar te unë, edhe pse nuk ishte e thjeshtë të besoje te unë për shkak të heshtjes sime”.

Tashmë që Italia e tha fjalën e fundit mbi të, Tahiri u shpreh se tashmë pret që fjalën e fundit për të ta thotë dhe drejtësia shqiptare. “Italia nuk bëri politikë për mua, por hetim. Dhe e tha fjalën e fundit. Beteja ime do të vazhdojë deri në ditën e fundit kur drejtësia në Shqipëri të thotë fjalën e fundit. Pas kësaj, unë jam i lirë. Unë nuk do të resht së luftuari për të vërtetën”, u shpreh Tahiri.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN