Krimet ndaj gazetarëve në Kosovë, botohet lista

Në kuadër të ditës ndërkombëtare të eliminimit të mosndëshkimit për krimet ndaj gazetarëve, që festohet zyrtarisht më 2 nëntor në gjithë botën, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) botoi sot listën e gazetarëve kosovarë të vrarë ose të zhdukur që nga viti 1999.

Lista, e cila përfshin pothuajse në mënyrë të barabartë gazetarë me etni shqiptare ose serbe, është një paralajmërim i dhembshëm për pasojat e kushteve të vështira në të cilën gazetarët kosovarë iu është dashur të punojnë këto vite.

“Mosndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve inkurajon të tjerët që të sulmojnë fizikisht dhe kërcënojnë gazetarët të cilët me punën e tyre informojnë publikun e gjerë”, thekson AGK.

 Më poshtë, lista e plotë e gazetarëve të vrarë ose të zhdukur në Kosovë.

  1. Enver Maloku, themelues i Qendrës Informative të Kosovës, i vrarë më 11 janar 1999 afër banesës së tij në Prishtinë.
  2. Shefki Popova, gazetar shumëvjeçar në gazetën “Rilindja”, i vrarë më 10 shtator 2000 në hyrje të banesës së tij në Vushtrri.
  3. Xhemajl Mustafa, i vrarë më 23 nëntor 2000 në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.
  4. Bekim Kastrati, gazetar në “Bota Sot”, i vrarë më 19 tetor 2001 në pritë afër fshatit Llaushë, Skenderaj.
  5. Bardhyl Ajeti, gazetar i së përditshmes “Bota Sot”, i vrarë më 3 qershor 2005 në pritë në afërsi të fshatit Bresalc, Gjilan.
  6. Ranko Perenic dhe Djuro Slavuj, gazetarë në Radio Prishtinë, të rrëmbyer dhe zhdukur më 21 gusht 1998 derisa ishin duke shkuar për në fshatin Zoqishtë të Rahovecit për të bërë një lajm në lidhje me kthimin e një murgu të rrëmbyer.
  7. Ljubomir Knezevic, gazetar i “Jedinstvo” dhe korrespondent i gazetës beogradase “Politika, i rrëmbyer dhe i zhdukur më 6 maj 1999 në afërsi të Vushtrrisë.
  8. Milo Buljevic, gazetar i RTV Prishtinës është rrëmbyer më 25 qershor 1999, jo larg qendrës së refugjatëve ku ka jetuar. Mbetet person i pagjetur.
  9. Krist Gegaj, punëtor në Radiotelevizionin e Prishtinës, i vrarë më 12 shtator 1999.
  10. Momir Stokuca, fotoreporter në gazetën e përditshme “Politika”, i vrarë më 21 shtator 1999 në shtëpinë e tij në Prishtinë.
  11. Afrim Maliqi, gazetar i së përditshmeve “Rilindja” dhe më pas “Bujku”, i vrarë më 2 dhjetor 1998 në Prishtinë.
  12. Marjan Melonasi, gazetar në redaksinë e Radio Kosovës në gjuhën serbe, i rrëmbyer më 9 shtator 2000, aktualisht i zhdukur.
  13. Aleksandar Simovic, i zhdukur më 21 gusht 1999. Mbetjet mortore të tij, janë gjetur në fshatin Obri afër Drenasit.
Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN