Të vrarët e 21 janarit, dëshmorë të atdheut

4 të vrarët e 21 janarit 2011, do të quhen dëshmorë të atdheut. Qeveria I ka paraqitur kuvendit ligjin që i jep statusin e posaçëm që deri më tani e kanë pasur kryesisht dëshmorët e luftës ose efektivët e vrarë në krye të detyrës në polici apo ushtri.

Ndonëse nuk përmenden specifikisht në ligj thuhet se statusin e përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë të vrarë gjatë tubimeve paqësore dhe pa armë për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Ndryshe nga socialistët që shprehen se nuk e njohin ende nismën e ekzekutivit, për opozitën bëhet fjalë për legjitimim të grushtit te shtetit.

“Rama i çoi mish për top për të shkelmuar ligjin, kushtetutën dhe rendin kushtetues dhe tani viktimat e veta, ata që i çoi drejt vdekjes, vetë ai i shpall dëshmorë për të larë duart me ta si Pons Pilati. Nga ana tjetër ky veprim është përligjje e grushtit të shtetit”, tha deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka.

Dëshmorë të atdheut do të quhen dhe komisionerët që kanë humbur jetën në mbrojtje të procesit zgjedhor. Si për viktimat e 21 janarit ashtu dhe komisionerët, do të ketë një varrim të dytë pranë varrezave të dëshmorëve të kombit, aty ku politika kryen çdo vit homazhe.

Shkarkoni aplikacionin e A2