Meta vendos precedent, Presidenti nuk dekreton Sandër Lleshi! – A2

Meta vendos precedent, Presidenti nuk dekreton Sandër Lleshi!

Sandër Lleshi

Kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit si ministri i ri i Brendshëm, Presidenti i Republikës e mori që të premten e kaluar, por vetëm 5 orë pas përfundimit të afatit kushtetues, Ilir Meta nuk pranoi dekretimin.

Me anë të zëdhënësit, Presidenca reagoi me një mesazh të shkurtër: “Presidenti Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm”.

Ky veprim i Metës shënon precedentin e parë që një kryetar shteti nuk shprehet pro propozimit të kryeministrit për dekretimin e një ministri. Edhe pse për shkarkimin e Fatmir Xhafës, Ilir Meta nuk mori shumë kohë, për refuzimin e Sandër Lleshit ai respektoi afatin 7-ditor të përcaktuar nga Kushtetuta. Neni 98 i Kushtetutës, pika 1, thekson se ministri emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i shtetit me propozim nga kryeministri brenda 7 ditëve, duke mos i lënë hapësirë për refuzim, por Ilir Meta vendosi që të mos firmosë propozimin e kryeministri Edi Rama, por nuk dha asnjë arsye për vendimin e tij negativ.

Por, çfarë ndodh pas këtij vendimi ende nuk është e qartë. Në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, e cila mund të shprehej, situata komplikohet. Ndërkohë, zgjidhja e parë është që Ministria e Brendshme të vijojë të drejtohet nga zëvendësministrat. Ndryshe nga qëndrimi që mbajti paraardhësi i tij Bujar Nishani, i cili deklaroi publikisht mosdhënien e pëlqimit, por siç tha Nishani në mars të vitit 2017, nuk kishte zgjidhje të mos e dekretonte sepse Kushtetuta nuk ia lejonte. Por, Presidenti Ilir Meta nuk mendon njësoj. Zëdhënësi i tij flet për bindje dhe jo për arsye se përse. Ndërkohë që mes Presidentit dhe kryeministrit qëndrojnë pezull disa çështje, si ajo për kreun e SHISH-it, plotfuqishmëria për negociatat e detit. Por, edhe posti i ri drejtues i kreut të ri të KLSH-së.

Shkarkoni aplikacionin e A2