Serie A, ekipet e mëdha bëjnë ligjin, gola dhe spektakël!

Spektakël kundër Empolit  i ekipit të Elsaid Hysajt

Java e 14-të e kampionatit italian shpalosi edhe një herë ”ligjin e më të fortit”. Duke përjashtuar barazimin e Romës, gjithsesi në fushën e vështirë të Fiorentinës, gjithë ekipet e mëdha shënuan fitore të bindshme dhe me shumë gola.

Sinjalin e parë e dha Napoli, i cili “shpartalloi” Empolin 5-1 falë një Mertens në formën e tij maksimale, që nuk shfaqej qysh nga viti i kaluar. Tripleta e belgut dhe golat e Insigne dhe Milik siguruan djemve të Ancelottit vendin e dytë në ”bashkëjetesë” me Interin, i cili u përgjigj po me 5 gola, por pa pësuar asnjë, kësaj radhe kundër Genoas.

Joao Mario duket i ringjallur këtë vit, shënon dhe bind tifozët

Zikaltrit treguan një formë fizike dhe mendore fantastike, duke shënuar fitoren e shtatë radhazi dhe duke evidentuar lojtarë që tifozët pothuajse kishin harruar rrugës, si Gagliardini autor i dy golave ose Joao Mario, që përtej golit në minutën e fundit  dha asiste të shumta kënaqi me vizionin e tij të lojës.  

Dybala shënon golin e parë të Juventusit

Të dy ekipet në vendin e dytë ndahen me gjashtë pikë nga kryesuesja Juventus. Zonja e vjetër fitoi 3-1 ndaj Cagliarit në një ndeshje më të luftuar sesa mund të tregojë rezultati. Edhe pse të favorizuar nga goli i bukur i Dybala në fillim të ndeshjes, porta e mbrojtur nga polaku Szczesny u trondit nga goli i Joao Pedros, i cili barazoi për Cagliarin. Tensioni për bardhëzinjtë zgjati pak sekonda, sepse një autogol fatkeq i kroatit Bradaric kaloi sërish në avantazh Ronaldon me shokë, të cilët e mbyllën sfidën me golin e Kuadrados në kundërsulm.

Caicedo feston golin e shokut të tij Immobile

E nxehtë duket edhe beteja për vendin  e katërt, aty ku Lacio fitoi bindshëm 4-1 ndaj SPAL, me dygolshin e Immobile që i hapi rrugën e fitores  ekipit të Thomas Strakoshës, protagonist i disa ndërhyrjeve vendimtare.

Milani nuk humbet distancën nga lacialët dhe merr trepikëshin e artë falë një goli në sekondën e fundit të mbrojtësit Romanjoli, pas një ndeshje të mirë të djemve të Rino Gattusos.  

Penalltia e dyshimtë e dhënë kundër Romës shkaktoi polemika

Mbetet pas Roma, që arriti barazimin ndaj Fiorentinës që kishte kaluar në avantazh me një penallti të dyshimtë në pjesën e parë. Goli i merituar i Florenzit nuk kënaq gjithsesi romanistët, që ndodhen tashmë 15 pikë nga Juventusi dhe jashtë kupave të Evropës, i kaluar edhe nga Sassuolo që fiton ndaj Kievos ende me minus në klasifikim, dhe nga Torino, fitues bindshëm në fushën e Sampdoriës.

 Del nga kriza edhe Atalanta me në portë Etrit Berishën, kurse Parma dhe Frozinone ndajnë një pikë që mund ti duhet në rrugën drejt shpëtimit.

Shkarkoni aplikacionin e A2