Doni të fluturoni të qetë? Përpara duhet të bindni “Policin digjital”!

Stresit për vonesën ose bagazhet e tepërta nëpër aeroporte mund ti shtohet së shpejti edhe ai për mimikën e fytyrës. Një gjest i dyshimtë mund t’iu pengojë udhëtimin, ose të paktën mund ta komplikojë shumë atë.

Nuk është fantashkencë por thjesht objektivi i projektit “iBorderCtrl”, financuar nga programi Horizon 2020 i Bashkimit Evropian, që së shpejti do të testohet në Hungari, Letoni por edhe në Greqinë fqinje, për të parandaluar emigrantët ilegalë ose objektiva të mundshme terroriste.  

Por si do të zhvillohet projekti, dhe çfarë teknologjie do të përdorë?

Sipas parashikimeve të studiuesve britanikë të  Manchester Metropolitan University, universitet që bashkëpunon në projektin në fjalë, kontrolli në aeroport do të zhvillohet në dy faza.

Në fazën e parë pasagjeri tregon falë një aplikacioni dokumentet e udhëtimit.  

Më pas, një “polic virtual” do të bëj disa pyetje  dhe sipas kontekstit gjuhësor, etnik ose gjinor të pasagjerit do të analizojë me dhjetëra parametra, si për shembull mimika e fytyrës,  duke treguar vërtetësinë ose jo të përgjigjeve.

Janë shumë ata që mendojnë që “polici virtual” mund të shkaktojë radhë akoma më të mëdha

Personat që do të kalojnë testin virtual, do mund të shkojnë te radha më e shpejtë e kontrolleve policore. Ndërsa ata që kompjuteri dyshon do të kontrollohen më në detaj nga forcat e rendit.

 Shkencëtarët thonë që teknologjia në fjalë ka arritur 76% të vërtetësisë, dhe synon së shpejti të paktën 85%, por kjo shifër duket gjithsesi e pamjaftueshme për ata që i kundërvihen projektit evropian.

Disa ekspertë pohojnë që kërkimi i të së vërtetës nga mimika ose gjestet nuk është një teori e konfirmuar nga shkenca, të tjerë thonë që edhe një përqindje e madhe sigurie, do të krijonte gjithsesi probleme qindra pasagjerëve çdo ditë, të cilëve do tu duhej të vërtetonin pafajësinë  e tyre për faj të… një gjesti më shumë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN