El Chapo para gjykatës, dhjetëra të penduar do të dëshmojnë kundër tij

Ndërkohë që në Netflix sezoni i tretë i El Chapo ka përfunduar e ndoshta nuk do të ketë një të katërt, në jetën reale, aty ku drama, vrasjet dhe trafiku i drogës janë të vërteta, pritet të nisë gjyqi për një prej bosëve më të mëdhenj meksikanë.

Gjykatësi i Brooklyn, Brian Cogan ka përjashtuar çdo mundësi për një tjetër shtyrje, por paralajmëroi prokurorët që nëse duan ta lidhin trafikantin meksikan me 33 vrasje, duhet të tregohet shumë të saktë, ose seanca do të dalë jashtë kontrollit.

Siguria për mbarëvajtjen e gjyqit do të jetë aq e lartë, sa edhe anëtarët e jurisë do të transportohen në Gjykatë të shoqëruar me marshallë të armatosur, pavarësisht pretendimeve të avokatit të El Chapos se kjo lëvizje minon besueshmërinë e tyre, duke marrë si të mirëqenë që ai është fajtor.

Pala mbrojtëse është ankuar gjithashtu se nuk ka pasur kohë që të lexojë dosjen prej 14 000 faqesh që prokurorët kanë mbledhur, si edhe 100 000 përgjime audio të mbledhura për çështjen. Sipas CNN arma më e fortë e akuzës do të jenë dëshmitë e dhjetëra të penduarve që kanë pranuar të bashkëpunojnë me autoritetet.

Joaquin Guzman e nisi karrierën kriminale si një kultivues kanabisi ndërsa pasuria e tij në momentin e arrestimit vlerësohet të ketë qenë 14 miliardë dollarë. Ai do të mbahet mend për arratisjet spektakolare nga burgu në Meksikë ndërsa në janar 2017 u ekstradua në SHBA ku ka qëndruar në izolim, në pritje të gjykimit.

Shkarkoni aplikacionin e A2