Lleshi do drejtojë Ministrinë e Brendshme pa dekretin e Metës!

Pavarësisht mosbindjes së Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme, por jo në postin e ministrit, por në atë të zëvendësministrit.

Kryeministri Edi Rama, pas edhe bisedës që pati një ditë më parë në zyrën e Presidentit, duket se është bindur se nuk do të kishte një dekretim edhe nëse emri i Lleshit do të ripropozohej dhe ka vendosur ditën e sotme ta emërojë gjeneralin si zv/ministër, duke i deleguar drejtimin e dikasterit të punëve të Brendshme.

Këtë vendim ai e ndau edhe me grupin parlamentar socialist, ku edhe ka njoftuar mbledhjen e Parlamentit në seancë plenare jashtë radhe, paraditen e të martës, me qëllim miratimin brenda afatit kushtetues të dekretit për shkarkimin nga detyra të Fatmir Xhafës.

Në përfundim të mbledhjes së grupit, Rama zyrtarizoi vendimin me një postim në Twitter: “Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të Brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00”.

Rama u ka treguar deputetëve mbi përmbajtjen e letrës që ka marrë nga Meta, duke nënvizuar se Presidenti nuk ofronte asnjë shpjegim në lidhje me vendimin e tij, të cilin Rama citohet ta ketë quajtur anti-kushtetues: “Presidenti nuk ka dhënë asnjë arsye, por vetëm mosbindjen e tij. Mosdekretimi është në shkelje të Kushtetutës. Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe ne do gjejmë mënyra të tjera. Ne nuk duhet të biem në këtë situatë që nuk është e jona. Ne duhet t’i dalim për zot situatës. Derisa të bindim Presidentin që është Sandër Lleshi i duhuri. Nuk ka asnjë lloj mëdyshje për mbështetjen e Lleshit, i cili ka Top-Cosmic, certifikata më e lartë e sigurisë nga NATO”.

Ndërkohë, në Ministrinë e Brendshme u paraqit për herë të fundit Fatmir Xhafaj që komentoi duke cituar Edi Ramën: “Politika është lojë shahu”. Lojën e shahut e vazhdoi Ilir Meta, i cili thirri në Presidencë Gramoz Ruçin. Pas takimit prej gati 60 minutash, zgjodhi që Kryeparlamentarin ta shoqërojë deri në dalje, ndërsa Presidencia njoftoi se së bashku kishin biseduar në lidhje me konsultimet për datën e zgjedhjeve lokale dhe kandidaturat për Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN