Liverpool e bën dramë në Beograd, spektakli zhvendoset në Itali – A2

Liverpool e bën dramë në Beograd, spektakli zhvendoset në Itali

Edhe pse ata janë finalistë të Champions League nga sezoni i kaluar, Liverpool ka dalë me kokën ulur nga Beogradi. Modestët e Crvena Zvezda-s triumfuan 2-0 në fushën e tyre, duke ua vështirësuar tashmë punët e kualifikimit anglezëve.

Ndërkohë, në ndeshjet tjetër të luajtur më herët këtë të martë në Champions, Monaco vazhdoi të koleksionojë tjetër humbje, këtë herë më të rëndë, madje edhe në fushën e tyre. Belgët e Brugge fituan në Francë me rezultatin e thellë 0-4. Për francezët duket se problemi nuk qëndronte aspak te trajneri, pasi tashmë ata kanë në krye një kampion si Henry, por gjërat për ta duket se po shkojnë edhe më keq.

Në mbrëmje, spektakli i futbollit u zhvendos në Itali, ku Interi priti Barcelonën, ndërsa Napoli francezët e PSG.

Të dyja këto takime u mbyllen me të njëjtin rezultat, 1-1, por spektakli dhe emocionet ishin në nivelet më të larta. Inter dhe Barcelona ndanë nga një pikë, rezultat ky që duket se lë të kënaqura të dy skuadrat, që janë vetëm një hap larg kualifikimit. Të dy golat u shënuan në minutat e fundit të sfidës, me katalanët që kaluan në avantazh me brazilianin Malcom në minutën e 83-të, ndërsa zikaltrit barazuan 4 minuta më vonë, me anë të kapitenit Mauro Icardi.

Në barazim 1-1 përfundoi një tjetër supersfidë e mbrëmjes së sotme, ajo e luajtur në “San Paolo” mes Napolit vendas dhe francezëve të Paris Saint Germain. Miqtë gjetën të parët avantazhin me anë të Bernat, që shënoi në minutat shtesë të pjesës së parë, ndërsa skuadra e Ancelottit barazoi në minutën e 63-të, kur Insigne mposhti Gigi Buffonin nga pika e bardhë e penalltisë.

Por vlen për t’u përmendur fakti që për minuta të tëra, francezët ishin nën presionin napolitanëve, të cilët u ndalën shpesh herë nga fati i keq, e shpesh nga aftësitë e Buffon.

Në ndeshjet e tjera, Tottenhami arriti të fitojë me përmbysje, 2-1 ndaj holandezëve të PSV-së, duke mbajtur gjallë shpresat për t’u kualifikuar për në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve. Londinezët e panë veten në disavantazh që në minutën e dytë, por shënuan dy herë në 20 minutat e fundit, me anë të kapitenit Harry Kane, duke ngritur në peshë publikun e “Wembley-t”.

Atletico e Madridit arriti të vërë nderin në vend ndaj Borussias së Dortmundit, teksa pas humbjes së thellë dy javë më parë në Gjermani, fitoi sot në “Wanda Metropolitana”, me rezultatin 2-0, falë golave të Saul dhe Griezmann. Fitore morën edhe Schalke 04, që mposhti Galatasarayn me rezultatin 2-0, e Porto që triumfoi me rezultatin 4-1 ndaj rusëve të Lokomotivës së Moskës, duke ruajtur edhe kreun e grupit, me 10 pikë, ndërsa kualifikimi është thuajse i sigurt.

Shkarkoni aplikacionin e A2