Tirana-Kukësi, gjithçka përveç golit. Tifozët “pushtojnë” fushën

Tirana-Kukësi u mbyll në barazim 0  me 0 në një ndeshje që i pati të gjitha përveç golave.

Gjithçka po shkonte si duhet deri në vërshëllimën përfundimtare të Enea Jorgjit, moment i cili pa me 10 tifozë bardheblu që kapërcejnë kangjellat rrethues dhe forcat “security” dhe hyjnë në fushë për t’i kërkuar lojtarëve tërheqin fanellat për shkak të rezultateve tejet të dobëta deri më tani.

Madje pati edhe konflikte fizike me disa lojtarë, si Greca apo Doka. Situata e tensionuaru u shmang disa minuta më vonë me ndërhyrjen e forcave të policisë, të cilat nuk ndodheshin pranë stadiumit pasi nuk e kishin marrë përsipër mbarëvajtjen e këtij takimi.

Tifozët u rikthyen në shkallët e stadiumit, por nuk munguan thirrjet e zakonshme karshi drejtuesve të skuadrës kryeqytetase.

Në përfundim, burime nga uniformat blu bënë me dije se pati një person të lënduar mes tifozëve, por që mori menjëherë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa persona të tjerë u shoqëruan në komisariatet përkatëse.

Nuk kanë munguar ndërkohë reagimet e drejtuesve të Tiranës në përfundim të ndeshjes. I pyetur jashtë ambienteve të stadiumit, presidenti Refik Halili, i është shmangur pyetje për kaosin e krijuar me fjalët “do të flasim”. Ndërkohë që trajneri Mema i bën thirrje tifozëve vetëm të mbështesin skuadrën.

Precedentë tëmëparshëm

Por nuk është kjo hera e parë që tifozët e Tiranës bëhen protagonistë duke kontestuar ashpër klubin apo duke hyrë në fushë në shenjë proteste.

Kujtojmë që dy sezone më parë në kohën kur skuadra e Tiranës do të binte nga Kategoria Superiore, tifozët ultra bardheblu, ndërprenë seancën stërvitore të skuadrës në kompleksin “Skënder Halili”, duke i detyruar lojtarët dhe stafin e drejtuar në atë kohë nga trajneri Mirel Josa në dhomat e zhveshjes.

Situata në atë kohë degjeneroi deri në përplasje fizike mes tifozëve dhe disa prej lojtarëve. Ata kërcënuan se do të ndërmerrnin hapa të tjerë në rast se skuadra nuk përmirësonte rezultatet në tabelë në fazën e dytë të kampionatit, gjë e cila nuk ndodhi. Që prej atij momenti, klubi vendosi që skuadra të stërvitej çdo ditë nën masa të forta sigurie.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN