Vrima e Ozonit po mbyllet

Çarjet në shtresën e Ozonit, e cila mbron Tokën nga rrezet ultravjollcë, duket se po mbyllen, thotë një raport i ri i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. E zbuluar fillimisht në vitet 1980, çarjet në hemisferën veriore mendohet se do të jenë mbyllur plotësisht brenda vitit 2030 ndërsa ato mbi Antarktikë brenda vitit 2060.

Sipas OKB, kjo është prova se çfarë mund të arrijë njerëzimi nëse bie dakord për çështjet me rëndësi globale. Shtresa e Ozonit mendohet se është dëmtuar nga disa kimikate të prodhuara nga njeriu, që quhen klorofluorokarbone (CFC).

Për çfarë shërben shtresa e Ozonit?

Shtresa e Ozonit nis rreth 9,6 kilometra mbi Tokë. Ajo është e përbërë nga një tip specifik molekulash oksigjeni që mbrojnë planetin tonë nga rrezet ultravjollcë, shkaktare për kancerin e lëkurës, problemet me sytë dhe dëmtimin e të korrave.

Si e ka dëmtuar njerëzimi këtë shtresë?

Klorofluorokarbonet janë kimikatet që praktikisht nisën të gërryenin shtresën e Ozonit. Ato gjenden në kanoçet me spray, frigoriferë dhe kondicionerë. Si pasojë e lëshimit të këtyre gazrave në atmosferë, në vitin 1985 u zbulua një vrimë në Ozon mbi Polin e Jugut.

Gjendja u përkeqësua aq shumë sa në fund të viteve ’90 rreth 10% e shtresës së sipërme ishte zhdukur. Por sipas raportit të OKB që prej vitit 2000 filloi të rigjenerohej, për shkak edhe të një marrëveshjeje ndërkombëtare të quajtur Protokolli i Montrealit, sipas të cilës kompanitë globale u zotuan që të gjenin zëvendësues për këto produkte të dëmshme. Marrëveshja u firmos nga 180 shtete.

Por, a është rregulluar gjithçka tani?

Jo.

Suksesi nuk mund të quhet i plotë, të paktën sipas një prej personave që ka përpiluar raportin, Brian Toon nga Universiteti i Kolorados. “Jemi në pikën ku rigjenerimi mund të ketë filluar”, tha ai duke theksuar se në disa zona nuk ka përmirësim.

Megjithatë, shumë ekspertë e shohin këtë si një hap të madh përpara. “Nëse nuk do të kishim ndaluar prodhimin e substancave të dëmshme do të kishim ndjerë pasojat dramatike”, tha Paul Newman, bashkautor i raportit dhe shkencëtari kryesor i Tokës në Qendrën Hapësinore Goddard në NASA.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN