Zgjedhjet e mesit të mandatit, test kyç për Trump. Mbyllen në FB profilet e dyshuara

Amerikanët votojnë sot në zgjedhjet e mesit të mandatit, në atë që vlerësohet të jetë një test kyç për presidencën e Donald Trumpit. Kreu i shtëpisë së bardhë bëri të hënën përpjekjen e fundit për të bindur votuesit të mbështesin partinë republikane.

Tre tubimet e fundit, Trump i zhvilloi në Indiana, Ohio dhe Missuri. “Çdo gjë që kemi arritur deri më tani, do të jetë në lojë këto zgjedhje. Nëse rezultati nuk është i mirë, ata do të më vënë në shënjestër, por nëse dalim mirë ata nuk do të bëjnë më asgjë”, deklaroi presidenti amerikan.

Zgjedhjet e sotme do të jenë vendimtare për të ardhmen e presidencës Trump

Zgjedhjet e mesit të mandatit konsiderohen si një test shumë i rëndësishëm dhe do të vendosin se cila parti do të kontrollojë dy dhomat e kongresit, duke përcaktuar mënyrën e qeverisjes së Trumpit gjatë 2 viteve të mbetura të mandatit katër vjeçar.

Pjesëmarrja pritet të jetë e lartë. Qytetarët do të zgjedhin 435 pjesëtarët e dhomës së përfaqësueseve, e do të votojnë gjithashtu për 35 nga 100 vendet e senatit e për guvernatorët e 36 prej 50 shteteve. Gjatë fushatës Trump e ka ashpërsuar retorikën mbi çështje të ndjeshme si emigracioni, në përpjekjen për ti dhënë energji të reja bazës së tij.

Ish presidenti Barak Obama

 Ish presidenti Barak Obama, gjatë një tubimi të partisë demokratike pohoi se zgjedhjet do të përcaktonin karakterin e vendit. Ai tha se për qytetarët ky do të jetë votimi më i rëndësishëm i jetës së tyre.

Ndërkohë, frika për ndërhyrje e Rusisë edhe në këto zgjedhje, ka shtyrë kompaninë Facebook të bllokojë 30 profile në platformën e saj e 85 të tjera në Instagram. Dyshohet se ato ishin të përfshira në një plan për të ndërhyrë në votim.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN