Panucci shpall listën “britanike”, konfirmohet talenti i Kosovës

Trajneri i kombëtares Christian Panucci ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për dy sfidat “britanike” kundër Skocisë dhe Uellsit. Siç ishte paralajmëruar, është thërritur në skuadër edhe Ardian Ismajli, vetëm tri javë pas pajisjes së tij me pasaportë shqiptare. Mbrojtësi i Hajduk Split i ka thënë kështu lamtumirë përfaqësueses së Kosovës dhe ka vendosur përfundimisht të vishet kuqezi.

Ndërkohë është lënë jashtë liste kapiteni Ansi Agolli, ditët e të cilit me kombëtaren duken drejt fundit. Është rikonfirmuar talenti i përfaqësueses U-21, Giacomo Vrioni, i thërritur muajin e kaluar për herë të parë nga Panucci.

Shqipëria mbyll aventurën e saj në Ligën e Kombeve më 17 nëntor kundër Skocisë në “Loro Boriçi”, ku në 20:45 luan ndeshjen e fundit në grupin 1 të Ligës C. Kombëtarja ka 3 pikë, po aq sa Skocia, e cila ka edhe një ndeshje më shumë për të luajtur.

Më 20 nëntor, skuadra pret në “Elbasan Arena” Uellsin e Ryan Giggs, në një ndeshje miqësore që nis në orën 20:00.

Shkarkoni aplikacionin e A2