Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

“Ëndrra europiane” shkërmoqet në brigjet shkëmborë të Spanjës

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2018, 13:13 | Bota

Trupi i pajetë i një emigranti që vdiq në përpjekje për të kaluar detin Mesdhe për një jetë më të mirë në Europë u nxor të enjten pasdite nga rojet bregdetare spanjolle.

Foto tragjike është nga plazhi i fshatit Canos de Meca në jug të Spanjës, ku vetëm një ditë më parë janë nxjerrë në breg 7 trupa pasi varka e tyre ishte përplasur në shkëmbinj.

Në fillim të javës Organizata e Kombeve të Bashkuar tha se më shumë se 2000 emigrantë kanë humbur jetën ndërsa kërkonin të arrinin brigjet europiane nga Afrika e Veriut, me 100 trupa të rikuperuar nga autoritetet spanjolle vetëm të hënën.

Ndërkohë dy varka të tjera u gjetën në det të hapur, mes Marokut dhe Gadishullit Iberik, me 80 vetë në bord, 13 prej tyre të vdekur. Të mbijetuarit u transferuan të gjithë në enklavën spanjolle në kufi me Marokun, Melilla. Roja bregdetare gjeti një tjetër mjet lundrues në jug të Kadizit, ku kishte 4 të vdekur dhe 22 të mbijetuar. Edhe ata kishin pësuar të njëjtin fat kur varka e tyre ishte përplasur me shkëmbinjtë në Ngushticën e Gjibraltarit.

Spanja është bërë së fundmi “adresa” kryesore për emigrantët e paligjshëm që duan të arrijnë në Europë nga Afrika dhe Lindja e Mesme, që kur qeveria e re italiane ka marrë masa drastike kundër emigracionit.

Italia vazhdimisht ka refuzuar t’ju vijë në ndihmë anijeve që përpiqen të hyjnë në portet e saj, ndërsa ministri i Brendshëm Matteo Salvini ka thënë se që tani e tutje ata do të mund ta shihnin vetëm nëpër kartolina vendin e tij.

Ndryshe nga italianët, qeveria spanjolle e Pedro Sanchez ka mbajtur një qëndrim më liberal, duke inkurajuar emigrantët të ndërmarrin rrugën “iberike”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani