Rama riemëron Sandër Lleshin, “sfidon” Metën

Edi Rama “sfidon” sërish kreun e shtetit Ilir Meta, ashtu siç kishte paralajmëruar pak orë më parë, Duke ridërguar për dekretim emrin e Sandër Lleshit për ministër të Punëve të Brendshme.

Përmes një statusi në “Twitter”, Rama iu përgjigj Metës, që pak më herët kishte folur për diletantë që nuk njohin kushtetutën.

“Sapo kam rifirmosur për ridërgim kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit, ministër i Brendshëm, drejtuar Presidentit të Republikës.

Bashkëngjitur do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion të detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm”, shkruan Rama në “Twitter”.

Më herët, akuzave se ka shkelur Kushtetutën me mos dekretimin e Sandër Lleshit, pasi dekreti i kreut të shtetit është vetëm formal, Ilir Meta i është përgjigjur duke thirrur në ndihmë po Kushtetutën.

“Pa dashur të jap leksione për Kushtetutën, por të gjithë amatorëve, diletantëve apo të njëanshmëve, do t’i ftoja edhe njëherë tjetër të lexojnë Kushtetutën dhe akt formal apo ceremonial është vetëm betimi te Presidenti”, tha Meta.

Meta është kështu presidenti i parë që deklaron se akti i dekretimit të ministrave është substancial dhe jo formal. Meta shmangu disa herë përgjigjen nëse e kishte thënë apo jo fjalën e fundit për Sandër Lleshin.

“A mundet Parlamenti të rrëzojë dekretin e Presidentit, pasi edhe kjo nuk është në Kushtetutë. Kështu që më lini të bëjë detyrën time”, tha Presidenti.

Shkarkoni aplikacionin e A2