Dita e Armëpushimit bën bashkë Thaçin dhe Putinin

Në Ditën e Armëpushimit, që përkujton fundin e Luftës së Parë Botërore, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është takuar me homologun rus, Vladimir Putin, një takim që mund të konsiderohet historik edhe pse nuk ishte zyrtar.

Sipas vetë Thaçit, ata kanë folur për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje që të kënaqë të gjitha palët. “Lidhur me këtë çështje, presidenti Putin ishte i qartë: Në rast se ju (Kosovë–Serbi) arrini marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështes këtë marrëveshje”, shkruan Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook.

Ndërsa në një intervistë televizive në Kosovë, Presidenti deklaroi se situata me Rusinë, me qëndrimin e saj bllokues në raport me Kosovën duhet të ndryshojë. “I thashë se ne nuk jemi as armiq e as miq, por mund të kemi raporte normale e korrekte siç kanë vendet e tjera me Rusinë. Mendoj që është një hap gjigant për diplomacinë e Kosovës. Me diplomatë të ndryshëm kemi diskutuar që do të ishte me interes që të ndodhë një takim të tillë dhe ai ndodhi”.

Reagime në Kosovë

I pari që ka reaguar mbi këtë takim ka qenë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Aleati i dikurshëm i Thaçit në qeveri, sot në opozitë ngriti pikëpyetje të mëdha. “Kemi një president të cilit nuk mund t’i zëmë besë se as çka ka folur atje, as çka nuk ka folur në Paris, pasi ndryshe deklarohet këtu e ndryshe atje. Jam i bindur se nuk mund të arrijmë marrëveshjen me Serbinë për normalizim marrëdhëniesh e as për njohje reciproke pa angazhim të fuqishëm të SHBA-së”, tha Mustafa.

Edhe më i ashpër është treguar lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook. “Pas shumë lëshimeve që i ka bërë Vuçiçit, Thaçi është fotografuar me Putinin. Ai mund të bëjë marrëveshje me të vetëm për kërkesën personale për azil politik në Rusi”, ka shkruar ai.

Nga Serbia: Takimin e mundësoi Vuçiç

Ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, ka thënë se takimi i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi është mundësuar nga presidenti Aleksandër Vuçiç. Ai në një postim në Facebook shkruan se “kjo është pasojë direkte e vizitës së tetorit të Vuçiqit në Moskë, ku ia prezantoi Putinit planin e tij dhe të Thaçit për ‘demarkacion’, që nënkupton edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Turp mbi turpin. Kjo nuk do të ndalet derisa në krye të shtetit është palaço i paturp dhe paskrupullt”, shkruan Jeremiç.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN